Turqia do të kthejë në vendet e tyre militantët e burgosur të IS-it

Turqia do të dëbojë pjesëtarët e grupit militant Shteti Islamik në vendet e tyre, edhe nëse nënshtetësia u është revokuar.

Marketing

Paralajmërimi është bërë nga ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, i cili kritikoi qasjen e vendeve të Bashkimit Evropian lidhur me këtë çështje.

Turqia ndërmori ofensivë në veri të Sirisë, kundër militantëve kurdë në fund të muajit të kaluar. Operacioni pasoi një vendim të Shteteve të Bashkuara për të tërhequr forcat amerikane nga rajoni.

Zhvillimet e fundit ngritën shqetësime lidhur me fatin e militantëve të Shtetit Islamik të cilët kanë qenë të burgosur në atë rajon.

Luftëtarët kurdë kanë qenë bërthama e Forcave Demokratike Siriane, e cila ka qenë aleat kryesor i SHBA-së në mposhtjen e Shtetit Islamik në rajon.

Këto forca kanë mbajtur të burgosur mijëra militantë të Shtetit Islamik në burgje anëmbanë verilindjes së Sirisë.

Aleatët perëndimorë të Turqisë kanë thënë se ofensiva e Ankarasë, mund të pengojë luftën kundër Shtetit Islamik, dhe të ndihmojë në ringjalljen e grupit.

Turqia, e cila i shikon luftëtarët kurdë si një grup terrorist të lidhur me militantët kryengritës në tokën e vet, ka hedhur poshtë ato shqetësime dhe është zotuar se do të luftojë kundër Shtetit Islamik.

Mirëpo, Ankaraja në mënyrë të përsëritur u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të marrin përsëri qytetarët e tyre që kanë qenë pjesë e Shtetit Islamik.

Duke folur para gazetarëve, ministri Soylu tha se Turqia do të dërgojë çdo luftëtar të kapur të Shtetit Islamik në vendet e tyre, edhe nëse nënshtetësia e tyre është revokuar.