Turqia rikthen qasjen në Instagram

Turqia ka rikthyer qasjen në Instagram pas më shumë se një jave bllokimi në mbarë vendin.

Marketing

Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit ndaloi qasjen në Instagram më 2 gusht pa dhënë një arsye specifike.

Zyrtarët qeveritarë thanë më vonë se ndalimi u vendos për shkak se platforma e rrjeteve sociale dështoi të respektonte ligjet turke.

“Në bisedimet tona me zyrtarët e Instagramit, ne u siguruam që kërkesat tona do të plotësoheshin, veçanërisht ato në lidhje me aktivitetin kriminal dhe na u premtua se do të punonim së bashku në një mjet për censurimin e përdoruesve”, tha Abdulkadir Uraloglu, Ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës.

Uraloğlu shtjelloi situatën edhe më tej, duke thënë se platforma “do të vendosë pajtueshmërinë me ligjin turk dhe se në rastet kur ligji shkelet, do të ketë ndërhyrje të shpejtë dhe efektive”.

Ai shtoi se të gjitha llogaritë në pronësi të organizatave “terroriste” do të ndalohen dhe e gjithë përmbajtja që promovon organizata të tilla do të hiqet, duke veçuar PKK, PYD dhe FETO.

Bëhet e ditur se PKK, ose Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, është një grup i jashtëligjshëm që ka zhvilluar një kryengritje prej dekadash brenda Turqisë për të krijuar një rajon autonom në Turqinë juglindore.

PYD është një organizatë politike kurde siriane që zyrtarët turq pretendojnë se është një krah i PKK.

Ndërsa, FETO është lëvizja e udhëhequr nga Fethullah Gylen, një ish-aleat i presidentit Recep Tayyip Erdogan, të cilin qeveria e fajëson për një përpjekje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016.

Ndryshe, Instagram ka më shumë se 57 milionë përdorues në Turqi, një komb me 85 milionë banorë.

Shoqata e Operatorëve të Tregtisë Elektronike vlerëson se Instagram dhe platforma të tjera të rrjeteve sociale në ditë gjenerojnë rreth 930 milionë lira turke (25 milionë euro).