Prishen balancat e përballjeve mes Shqipërisë dhe Turqisë (4 fitore, 2 barazime, 4 humbje) dhe këtë herë në favor të turqve, që morën fitoren 0-2 në “Loro Boriçi” dhe e nisën në mënyrën më të mirë edicionin eliminator Euro 2020.
Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe krijuan disa mundësi të mira shënimi në pjesën e parë, kur fillimisht Balaj dhe më pas Balliu e Uzuni, e panë veten të vetëm me portierin, por nuk ia dolën të dërgojnë topin në rrjetë.
Atë që nuk e bënë kuqezinjtë, e bënë mjaft mirë turqit, që në rastin e parë të tyre, shfrytëzuan maksimalisht një gabim të tanëve dhe kaluan në avantazh, me anë të sulmuesit Cenk Tosun.
Edhe pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë të tanëve, por në minutën e 55-të, ishte Hakan Calhanoglu, që depërtoi për shumë metra i pashqetësuar, duke shfrytëzuar maksimalisht një hutim të Hysajt dhe shënoi golin e dytë, pas një gjuajtje të bukur nga distanca.
Pas këtij goli, nuk mungoi as kontestimi i tifozërisë, të cilët hodhën sende të shumta në fushën e lojës, duke dhuruar një shfaqje të turpshme, që për më tepër u mbyll me një goditje ndaj portierit Etrit Berisha.
Nuk munguan as thirrjet kontestuese ndaj trajnerit Christian Panucci, me koralen “Panucci Vaffanculo”, ndërsa ky i fundit reagoi duke hedhur në fushë Armando Sadikun dhe Eros Grezdën, dy nga autorët e golave në fitoren e fundit ndaj turqve.
Megjithatë tentativat e tanëve ishin sporadike, me lojtarët e repartit të sulmit, që shpesh herë e tepronin me mbajtjen e topit, ndërsa thuajse asnjëherë nuk e vunë në provë portierin e përfaqësueses turke.
Vërshëllima finale e arbitrit gjerman, pa skuadrën e Turqisë që të festonte në “Loro Boriçi”, ndërsa kuqezinjtë treguan sërish se kanë shumë punë për të bërë në prapavijë, ku pësuan në të dy rastet e vetme të turqve.
Vetëm 3 ditë më vonë vjen transferta me Andorrën, një nga ato ndeshje që duhen fituar medoemos, ndaj gjëja më e vlefshme në këto momente, është të lëmë pas këtë humbje, për t’u përqendruar te takimi i ardhshëm.
Komenti i ndeshjes, minutë pas minute:
Vërshëllen 3 herë gjermani Tobias Steiler, duke sinjalizuar fundin e këtij takimi, që edhe këtë herë nuk shkon në favor të kuqezinjve.
90′ – Arbitri i katërt akordon 6 minuta shtesë.
80′ – Minuta me intensitet për kuqezinjtë, që i afrohen zonës kundërshtare, por nuk kanë kthjelltësinë e duhur për të rrezikuar seriozisht.
58′ – Panucci largon nga fusha Bekim Balën dhe Ivan Balliun, për t’u bërë vend Eros Grezdës dhe Armando Sadikut.
55′ – Turqia shënon golin e dytë, me Hakan Calhanoglu. Mesfushori mori një top nga vija e mesit të fushës dhe depërtoi, bukur, duke shfrytëzuar mefshtësinë e Hysajt dhe me një gjuajtje fantastike, mposhti Berishën.
47′ – Okay ndëshkohet me karton të verdhë. Dalje e bukur e Xhakës, por mesfushori turk e ndal me të gjitha mënyrat dhe ndëshkohet. Kuqezinjtë nuk përfitojnë dot nga goditja, që largohet nga portieri Mert.
46′ – Starton pjesa e dytë, Panucci nuk ndryshon 11-shen.
– Përfundon me avantazhin minimal 0-1 të turqve, 45-minutëshi i parë i sfidës në “Loro Boriçi”. Një takim i interpretuar në mënyrë perfekte nga kuqezinjtë, që patën të paktën 3 mundësi të mira shënimi, por që u shpërdoruan nga Balaj, Balliu dhe Uzuni. Nga ana tjetër, turqit shfrytëzuan maksimalisht gabimin e vetëm tonin në mbrojtje dhe na ndëshkuan me Burak Yilmaz.
45+2′ – Ndërhyrje me kohë vonesë e Ismajlit dhe arbitri e ndëshkon me karton të verdhë.
44′ – Akordohen 4 minuta shtesë…
37′ – Karton i verdhë edhe për Balliun. Anësori shqiptar goditi me bërryl kundërshtarin në një dyluftim.
34′ – Asist fantastik i Hysajt drejt zonës, që gjen Uzunin të lirë, por fantazisti beratas gabon në stopim dhe nxjerr topin jashtë portës. Tjetër mundësi e artë e shpërdoruar.
31′ – Memushaj ekzekuton faullin, duke gjuajtur drejt portës, por topi largohet nga mbrojtja në këndore për tanët. Edhe krosimin e Xhakës nga këndi, e largojnë mbrojtësit turq.
29′ – Karton i verdhë për Cenk Tosun. Faull në dëm të kuqezinjve, pranë zonës turke, por sulmuesi protestoi, duke marrë ndëshkimin e arbitrit gjerman.
21′ – Shpërqendrim i kuqezinjve dhe turqit nuk falin. Është Burak Yilmaz, që shfrytëzon pasimin në zonë dhe mposht Berishën, duke u dhënë tturqve avantazhin. Një gabim që fillon nga këmbët e Xhakës, që e ka tepruar dhe më pas me Gjimshitin që pasoi gabim.
20′ – Tjetër mundësi e mirë për kuqezinjtë. Balaj bën spondën për Balliun, që arrin para portierit te topi, por gjuajtja pritet nga ky i fundit.
18′ – Këndorja e parë është për turqit. Krosimin e grushton Berisha, që fiton edhe një faull në zonë.
13′ – Rast i artë për tanët. Uzuni shërben bukur për Balajn, po shkodrani heziton dhe më pas godet keq, ndonëse ishte i vetëm me portierin.
12′ – Aksion i turqve, por Ismajli kontrollon mirë sulmuesin Cenk Tosun dhe fiton rivënien fundore.
2′ – Kuqezinjtë japin “shkëndijën” e parë. Memushaj ekzekuton një faull dhe dërgon topin në zonë, ku tenton Ismajli, por arbitri ndal lojën për faull në favor të turqve.
– Starton sfida në “Loro Boriçi”
Spektakolare koreografia e tifozëve kuqezi.
Formacionet e të dy skuadrave: