Tusk: BE-ja s’është e bindur me planin e Johnsonit për Brexit

Bashkimi Evropian “nuk është i bindur” nga propozimet e kryeministrit britanik, Boris Johnson, për marrëveshjen për Brexit, apo daljen e Britanisë nga BE-ja.

Marketing

Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, tha se ka biseduar në telefon me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, dhe se të dy ata janë skeptikë ndaj propozimeve të Johnsonit.

Tusk tha se mesazhi i tij për udhëheqësin irlandez ka qenë se BE-ja “qëndron plotësisht pas Irlandës”.

Një nga çështjet kryesore që e pengon marrëveshjen është e ardhmja e kufirit midis Irlandës Veriore – e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe do ta linte BE-në me pjesën tjetër të vendit – dhe Republikës së Irlandës, e cila është pjesë e BE-së.

Sipas propozimeve të Johnsonit, Irlanda Veriore do të mbetej në tregun e BE-së për mallrat, por do ta linte bashkimin doganor.

Mosmarrëveshjet dhe paqartësitë, megjithatë, vazhdojnë për mënyrën se si do të duket kufiri midis Irlandës dhe Irlandës Veriore.

Goditje Johnsonit: Vendimi për pezullimin e Parlamentit – “i paligjshëm”
Bisedime të reja në Bruksel do të vazhdojnë sot.

Britania duhet të largohet nga BE-ja më 31 tetor, nëse nuk kërkon zgjatje të afatit dhe nëse nuk i garantohet një e tillë.

Johnson ka thënë vazhdimisht se ai nuk do të kërkojë shtyrje të afatit dhe se Brexit-i do të ndodhë në fund të këtij muaji, me ose pa marrëveshje.

Parlamenti britanik, megjithatë, ka votuar për të bllokuar Brexit-in pa marrëveshje.

Kritikët thonë se largimi nga BE-ja pa marrëveshje mund të ketë pasoja shkatërruese për Britaninë.

Kryeministri britanik: Më përpara do të vdisja në hendek sesa të shtyja Brexitin

Marketing