Twitter ndalon reklamat politike

Kompania Twitter planifikon të ndalojë të gjitha reklamat politike në të gjithë botën, duke thënë se dërgimi i mesazheve të tilla “duhet të fitohet, jo të blihet”.

Marketing

“Ndërsa reklamimi në internet është tepër i fuqishëm dhe shumë efektiv për reklamuesit tregtar, kjo fuqi sjell rreziqe të konsiderueshme për politikën”, ka thënë shefi ekzekutiv i kompanisë, Jack Dorsey.

Kompania tjetër e mediave sociale, Facebook së fundmi përjashtoi ndalimin e reklamave politike. Themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg mbrojti politikën e kompanisë së tij.

“Në një demokraci, nuk mendoj se është e drejtë për kompanitë private të censurojnë politikanët ose lajmet”, tha ai gjatë një konference me gazetarët.

Vendimi për ndalimin e reklamave politike nga ana e Twitter-it, ngjalli reagime të ndryshme në dy kampet politike të SHBA-së për zgjedhjet e vitit 2020.

Brad Parscale, menaxher i fushatës për rizgjedhje të presidentit Donald Trump, tha se ndalimi ishte “një përpjekje tjetër për të heshtur Trumpin dhe konservatorët”.

Por, Bill Russo, zëdhënës i fushatës së kandidatit të demokratëve, Joe Biden, tha se: “Kur përballemi me një zgjedhje midis dollarëve të reklamave dhe integritetit të demokracisë sonë, është inkurajuese që të ardhurat financiare nuk fituan”.

Ndalimi i reklamave politike nga ana e Twitterit do të zbatohet nga 22 nëntori. Detajet të plota lidhur me këtë masë do të bëhen të ditura më 15 nëntor.