Rrjeti social Twitter, do të ndalojë të gjitha reklamat politike globale duke filluar nga muaji i ardhshëm, shkroi në Twitter themeluesi dhe shefi ekzekutiv i kompanisë, Jack Dorsey.
“Mendojmë se mesazhi politik duhet të fitohet, jo të blihet. Ndërkohë që reklamimi në internet është shumë i fuqishëm dhe efektiv, kjo fuqi mund të sjellë rreziqe të konsiderueshme në politikë, ku mund të përdoret në manipulimin e votave për të ndikuar në jetët e miliona njerëzve”, shkroi Dorsey.
Ai deklaroi se vendimi përfundimtar, me disa përjashtime, do të bëhet publik më 15 nëntor dhe do të zbatohet më 22 nëntor.
Platformat e rrjeteve sociale janë nën presion për të rregulluar përmbajtjen e tyre, pas akuzave se Facebook u përdor për të manipuluar zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe referendumin e Brexit.