U ankua për racizëm, tifozët e Interit dalin kundër Romelu Lukaku

Aventura italiane e Romelu Lukaku tek Inter ka nisur në mënyrën më të mirë në aspektin sportiv, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë në atë social dhe mediatik. I konsideruar si blerja më e rëndësishme e klubit zikaltër në merkaton e verës, sulmuesi belg i ka shpërblyer pritshmëritë me dy gola në dy javët e para të kampionatit italian. Deri këtu gjithçka shkon shkëlqyer, por shumë shpejt ai është bërë protagonist në polemikat që kanë shpërthyer ditët e fundit.

Marketing

Shkak ato që janë “pagëzuar” si thirrje raciste në dëm të Lukaku nga tifozët e Cagliari gjatë ndeshjes së luajtur të dielën në mbrëmje dhe të fituar 2-1 nga skuadra e Antonio Conte. Sulmuesi shënoi golin e triumfit nga pika e penalltisë, por gjuatja e tij u shoqërua me thirrje dhe britma aspak të këndëshme nga ana e tifozerisë vendase. Mediat përtej Adriatikut shpejtuan ta cilësojnë si racizëm, ndërsa edhe vetë futbollisti reagoi zyrtarisht duke kërkuar “luftë” kundër këtij fenomeni. Por ndryshe nga sa pritej, kundër sulmuesit ka dalë grupimi i tifozëve “Ultras” të Interit.

Me anë të një letre të hapur, ky grupim bën të ditur se nuk bëhej fjalë për racizëm, por vetëm për shprehje të frikës nga ana e kundërshtarëve për golin e tij. Sipas tifozëve interistë, Lukaku është përfshirë në një teatër mediatik”. Ky reagim vjen në një moment të nxehtë të polemikave, ndërtsa edhe prokuroria ka nisur një hetim për këtë ngjarje.