Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, nën organizim të Institutit dhe Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, si dhe në praninë e shumë gjuhëtarëve dhe intelektualëve të tjerë, u promovua “Fjalori serbisht-shqip” i shkrimtarit e publicistit, tashmë edhe leksikografit, Rexhep Zllatku.
Në fillim të pranishmit i përshëndeti dhe u uroi mirëseardhje drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani. Ai e theksoi rëndësinë e kësaj vepre dhe nderimin që ia bën kjo vepër gjuhësisë shqiptare në këtë 50-vjetor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Pas tij fjali rasti pati edhe Dr. Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe. Ai foli për rëndësinë që e ka ky fjalor edhe për punën që e bën sot Agjencia.
Për vlerën shkencore të Fjalorit foli gjuhëtari, Prof. Qemal Murati, i cili vuri theksin në vlerën leksikografike të kësaj vepre për gjuhësinë shqiptare.
Gjuhëtari Zeqirija Ibrahimi foli për bashkëpunimin që ka pasur me autorin, Rexhep Zllatku, për redaktimin dhe botimin e Fjalorit.
Në fund të pranishmit i përshëndeti edhe autori i veprës, Rexhep Zllatku, i cili i falënderoi të pranishmit, organizatorët e promovimit. Prof. Qemal Muratin dhe Prof. Zeqirija Ibrahimin, ndërsa foli edhe për betejën shkencore dhe krajatat shpirtërore që i ka pasur në hartimin e veprës.
Botues i Fjalorit është SHB “Logos-A” nga Shkupi, ndërsa redaktor i përgjithshëm i tij është Prof. Xhevat Lloshi.