Pas panairit të vitit të kaluar të librit akademik, që u organizua në
Tiranë, edicioni i sivjetmë i këtij panairi po mbahet në Prishtinë. Këtë
vit kjo ngjarje po mbahet në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të
Kosovës. Panairi ka filluar sot dhe do të vazhdojë deri më 26 prill.
Përveç dy akademive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në këtë panair marrin
pjesë edhe shumë institucione shkencore dhe arsimore të Shqipërisë,
Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Si institucion hulumtues
dhe botues i librit shkencor, në këtë panair për herë të dytë po merr
pjesë edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të
Shqiptarëve.
E veçanta e këtij panairi është se, përveç ekspozimit të librave, gjatë
tri ditëve të panairit do të ketë edhe promovime të veprave shkencore.
Me këtë rast, në ditën e parë të panairit u promovuan edhe tri vepra të
Institutit, të botuara së fundmi. Në fillim të këtij promovimi fjalë
rasti pati drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, i cili foli në
përgjithësi për veprimtarinë hulumtuese dhe botuese të ITSHKSH-së.
Në prani të shumë studiuesve, për veprën “Bisedime mbi “Historin
bujqësore të Shqipnis” të autorit Eqrem Bej Vlora referoi historiani Dr.
Besnik Rameti, i cili theksoi se bëhet fjalë një vepër të sapozbuluar të
një personaliteti të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare të
pavarësisë, e cila ka vlerë të madhe historike, por edhe ka vlerë edhe
për agronominë e sotme të Shqipërisë. Vepra “Ilegalja shqiptare
pararëndëse e rrënimit të Jugosllavisë (I dhe II)”, e përgatitur nga
Skender Asani, Sevdail Demiri, Milaim Fetai, Besnik Rahmeti ishte vepra
e dytë që u prezantua në këtë panair, ndërsa për të referoi studiuesi
Emin Azemi. Ai tha se “Kjo vepër sjell dokumente të rëndësishme të
ilegales shqiptare gjatë viteve të fundit të ish Jugosllavisë, që janë
vjelë nga Arkivi i Zagrebit, të cilat janë kontribut i rëndësishëm për
ta ndriçuar historinë më të re të shqiptarëve në atë periudhë”. Vepra e
fundit që u promovua ishte “Shkupi, vetë historia e Kosovës, me autorë
Skender Asani, Mehmet Prishtina dhe Albert Ramaj, për të cilën foli
studiuesi Dr. Zeqirija Ibrahimi. Kjo vepër është një studim dhe raport i
një ish ministri të jashtëm italian, i cili flet për historinë e
Shkupit, në veçanti, dhe të Vilajetit të Kosovës, në përgjithësi, në
pjesën e parë të shekullit XX.
Promovimi u moderua nga Sekretari Shkencor i Institutit, Dr. Sefer
Tahiri.