U shkarkua nga pozita e drejtorit të Agjencisë së Zbulimit, reagon Erolld Musliu

Drejtori i deritanishëm i Agjencisë së Zbulimit, Erolld Musliu, ka dalë me reagim publik pasi u shkarkua nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Ai në një kumtesë për media thotë se presidentja është dorëzuar para presionit të partisë.

Marketing

Musliu gjithashtu thotë se në rastin e shkarkimit të tij mungon sistemi i meritës dhe justifikimi ligjor.

Më poshtë e keni reagimin e Erolld Musliut:

“Sistemi merit dhe justifikimi ligjor për të cilin flet presidentja tërë kohën, në rastin konkret të shkarkimit tim mungojnë. Veçanërisht jam i zhgënjyer nga procedura dhe mënyra që zgjodhi Presidentja gjatë shkarkimit tim, duke mos treguar virtytin për tu takuar në një takim njoftimi për t’i dhënë asaj një informim mbi natyrën e punës së Agjencisë, për mjedisin e sigurisë dhe situatën aktuale në rajon. Detyrën e drejtorit të Agjencisë e kam ushtruar me krenari dhe nder të veçantë, kam bërë përpjekje mbinjerëzore për të ngritur nivelin e punës me cilësi të lartë dhe për ta transferuar përvojën dhe diturinë time profesionale të fituar gjatë karrierës 31-vjeçare. Nderi është edhe më i madh për vet faktin që jam shqiptari i parë në historinë e bashkësisë së institucioneve të Sigurisë dhe Inteligjencës në vendin tonë, të cilit i është besuar detyra e menaxhimit të Agjencisë së zbulimit”.

“Poashtu është fakt që gjatë gjithë kohës kam qenë cak i një fushate të ndyrë dezinformimi që ka arritur përmasat e një linçimi politik dhe ka lënë pasoja për familjen time. Sidoqoft kam thyer një tabu në shoqerinë tonë, dëshmova që një Shqiptar, dhe në të njejtën kohë pa përkatësi partiake mund të arrijë nivel të lartë, të pranohet dhe respektohet në suaza të kolektivit, si dhe në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Potencoj që jam pionier në idenë dhe arritjen e nivelit më të lartë të përfaqësimit dhe barazisë gjinore edhe në nivel menaxherial, si dhe në fushën e barazisë etnike, duke u dhënë hapësirë ​​të gjitha komuniteteve etnike të përfaqësuara në shoqërinë tonë për të qenë pjesë e Agjencisë.

“Nën drejtimin tim kemi ngritur nivelin dhe po përmirësojmë kapacitetet tona teknike në procesin e dixhitalizimit dhe të sigurisë së informacionit dhe ajo kibernetike. Kemi të arritura fantastike në aspektin strategjik dhe të punës operative të zbulimit që i kemi kryer në nivel të interesit kombëtar ashtu të natyrës bilaterale dhe me aleatët. Së fundi, një falenderim i madh ndaj gjithë kolektivit të Agjencisë për mbështetjen e parezervë në periudhën e kaluar vërtet dinamike dhe sfiduese në kryerjen e detyrave që duheshte të ndërmerren , veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë kovid, reformës së Agjencisë, aktivitet në lidhje me agresion Rus ndaj Ukrainës, konflikti në Gaza si dhe pasiguria politike dhe e sigurisë në rajon”.

“Drejtoreshës së re të AZ i uroj sukses në drejtimin e Agjencisë, kurse kolegëve ju uroj të jenë të fokusuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të AZ, të ruajn dhe mbrojnë Maqedoninë e veriut, jo që është e madhe apo e vogël, por sepse ajo është e JONA!”, (sic) ka shkruar Musliu në reagimin e tij.0

Marketing