Eugen Isai, kandidat për deputet i PD në Elbasan, që u skualifikua nga gara pasi Luçiano Boçi theu herësin, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen që i dhanë partisë së tij. Isai shkruan se falë mbështetjes PD arriti të dyfishojë mandatet, por sipas tij do të ishte një rezultat edhe më pozitiv nëse gara do të bëhej në kushte të barabarta. Isai ngre akuza ndaj kryeministrit Edi Rama duke deklaruar se ai kontrollon gjithçka.
“Të dashur demokratë, të nderuar miq! Para se gjithash desha t’iu shpreh falenderimet dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen që i dhatë Partisë Demokratike në këto zgjedhje. Falë kësaj mbështetje ne mundëm të dyfishonim mandatet dhe të dëshmojmë që jemi forcë kryesore politike. Ky rezultat mund të ishte edhe më pozitiv për ne. Do të ishte i tillë nëse ne do të garonim në kushte të barabarta. Ne u përballëm me një parti-shtet.
Me një Kryeministër që kontrollon dhe ka përqëndruar në duart e tij gjithçka. Ne u përballëm me klimën e tensionit dhe terrorit, me fenomenin e shit-blerjes së votës, presionit ndaj administratës dhe qytetarëve të thjeshtë. Përdorën gjithë prapësitë e mundshme sërish në këto zgjedhje duke cënuar të drejtën e sovranit për të ushtruar në mënyrë të lirë vullnetin e tij përmes votës.
Pavarësisht gjithë kësaj klime, demokratët elbasanas, qytetarët e ndershëm, intelektualët, të gjithë ata që duan ndryshimin, na mbështetën dhe përkrahën. Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë strukturat e Partisë Demokratike për punën e palodhur që kanë zhvilluar. Falenderoj drejtuesin politik, Gazment Bardhi dhe të gjithë kandidatët për fushatën model që kanë zhvilluar. Unë jam i sigurt dhe bindjeplotë se ata do iu përfaqësojnë denjësisht në parlament. Do të jenë shpresa dhe vokacioni juaj. Faleminderit!”, shkruan ai.