Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova sot ka zhvilluar një takim me drejtorin e komunitetit energjetik, Artur Lorkovski.
Në takim, drejtori Lorkovski informoi për sfidat e tanishme dhe të ardhshme të shteteve në rajon, të cilat sipas vendimeve të ministrive ndajnë sfidat rajonale, veçanërisht në zbatimin e Udhërrëfyesit për dekarbonizim dhe mekanizmit të përshtatjes së kufijve të karbonit (carbon border adjustment mechanism).
Me miratimin e Udhërrëfyesit të Dekarbonizimit në vitin 2021, palët kontraktuese janë zotuar të miratojnë rregulla teknike në lidhje me monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve, si dhe zhvillimin e kuadrit të nevojshëm institucional që mund të lehtësojë zbatimin e Mekanizmit të Tregtimit të Emetimeve të Gazrave Serrë (ETS) bazuar në Skemën Evropiane të Tregtimit të Emetimeve të Gazrave Serrë. Për më tepër, prezantimi i ardhshëm i Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit në BE aktualisht parashikon mundësinë që vendet e treta të përjashtohen nga aplikimi i tij (në sektorin e energjisë elektrike) nëse plotësohen disa kushte. Këto kushte përfshijnë futjen e çmimit të karbonit, si hap i parë, dhe zbatimin e një ETS me një çmim të barabartë me ETS të BE-së deri në vitin 2030.
Ministrja Shukova falënderoi komunitetin energjetik për mbështetjen e deritanishme, veçanërisht në pjesën e taksës së karbonit në projektligjin për veprimin klimatik dhe theksoi se kjo çështje kërkon një qasje ndërinstitucionale duke respektuar parimin e tranzicionit të drejtë.