UEFA kërkon falje për atë që ndodhi në finalen e Ligës së Kampionëve

UEFA u ka kërkuar falje tifozëve për ngjarjet shqetësuese që ndodhën përpara finales së Ligës së Kampionëve mes Liverpoolit dhe Real Madridit në Paris.

Marketing

Shtëpia më e madhe e futbollit, njoftoi të martën se kishte nisur një rishikim për ngjarjet që ndodhën jashtë ‘Stade de France’, pasi nuk u lejuan të futen brenda shumë tifozë që kishin bileta dhe policia përdori gaz lotsjellës ndaj tyre, përpara fitores 1-0 të Real Madrid kundër Liverpool.

Ndeshja u vonua për më shumë se 30 minuta pasi policët ndaluan me forcë njerëzit që përpiqeshin të hynin në ‘Stade de France’ në mesin e tyre disa edhe pa bileta, ndërsa ata gjithashtu spërkatën me gaz lotsjellës mbi tifozët, duke përfshirë gra dhe fëmijë.

UEFA tani ka lëshuar një deklaratë të mëtejshme duke kërkuar falje për shqetësimin e shkaktuar ndaj mbështetësve.

Më poshtë lajmi.net jua përcjell reagimin e plotë të shtëpisë më të madhe të futbollit:

“UEFA dëshiron t’u kërkojë sinqerisht falje të gjithë spektatorëve që u desh të përjetonin ose dëshmonin ngjarje të frikshme dhe shqetësuese në përgatitjen e finales së UEFA Champions League në Stade de France më 28 maj 2022 në Paris, në një natë që duhet të ishte një festë e futbollit evropian të klubeve.

Asnjë tifoz futbolli nuk duhet të vihet në atë situatë dhe nuk duhet të ndodhë më.

Për këtë qëllim, menjëherë pas ngjarjeve, UEFA hapi një Rishikim të Pavarur për të identifikuar mangësitë dhe përgjegjësitë e të gjitha subjekteve të përfshira në organizimin e finales dhe sot ka publikuar Termat e Referencës për këtë rishikim.

Rishikimi i Pavarur, i cili do të udhëhiqet nga Dr. Tiago Brandao Rodrigues nga Portugalia, synon të kuptojë se çfarë ndodhi në përgatitjen e finales dhe të përcaktojë se cilat mësime duhet të mësohen për të siguruar që nuk do të përsëriten veprimet dhe ngjarjet e asaj dite.”