UEFA nominon tre kandidatët për t’u shpallur trajner të vitit 2022, nuk ka befasi

Organi më i lartë i futbollit europian, UEFA, me anë të një njoftimi në faqen zyrtare ka bërë të ditur që ka nominuar Carlo Ancelottin, Pep Guardiolan dhe Jurgen Klopp për t’u shpallur trajner të vitit 2022, transmeton Gazeta Metro.

Marketing

Fituesi do të shpallet gjatë ceremonisë së shortit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve në Stamboll të enjten më 25 gusht.

Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti shihet si më favoriti për të fituar këtë çmim, pasi arriti të shpallej kampion në La Liga dhe fitoi Ligën e Kampionëve me ‘Los Blancos’. Përveç këtyre dy sukseseve ai arriti të fitoi edhe Superkupën e Europës pak ditë më parë.

Sezon jashtëzakonisht të mirë me skuadrat e tyre Manchester City, respektivisht Liverpool patën edhe Pep Guardiola dhe Jurgen Klopp.

Spanjolli arriti titullin e katërt të Premier League në pesë sezonet e tij të fundit në krye të ‘Citizens’, ndërsa gjermani fitoi FA Cup dhe Carabao Cup derisa përfundoi si nënkampion në Premier League dhe Champions League.

Pozita e katërt për këtë sezon i takon trajnerit të Eintracht Frankfurt, Oliver Glasner, i cili morri 75 pikë një më shumë se trajneri i Villareal, Unai Emery. I kënaqur me vendin e gjashtë duhet të ndahet trajneri i Romës, Jose Mourinho.