UEJL heton 5 profesorët që kërkuan seks për nota

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Abdylmenaf Bexheti, është i vetmi deri më tani që ka reaguar pas skandalit që publikoi klubi feminist ku 15 profesorë kishin kërkuar favore seksuale në këmbim të notës për studentë. Në një pres konferencë me gazetarë, rektori Bexheti, i shoqëruar nga kryetari i Bordit, Denis Farinton, prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare Besa Arifi, tha se mbështet studentët pavarësisht se anketa është bërë në mënyrë anonime, megjithatë nënvizoi se pesë nga profesorët e apostrofuar kanë lidhje me UEJL, por vetëm njëri është i angazhuar si profesor i rregullt, kurse katër tjera janë me kohë të caktuar. Bexheti tha se do të merren masa preventive pavarësisht se ka prova apo dëshmi, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

“Ne si rektorat dhe si universitet kemi detyrim që këto iniciativa t’i mbështesim, prandaj edhe janë formuar ato iniciativa, pavarësisht janë brenda unionit studentor, ne i mbështesim pa hamendje, në lirinë e të menduarit të tyre kritik, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë në punën që gjithë secili e bën. Ne deri më tani në universitet, nuk kemi pasur asnjë denoncim për ndokënd për sjellje të pahijshme siç edhe është prezantuar në anketë. Universiteti mbetet në qëndrimin se vetëm mbi bazë të dëshmive relevante, ne mund dhe jemi të gatshëm që të fillojmë procesin e investigimit të stafit tonë.

Nga raporti i prezantuar, rezulton se vetëm një profesor është i punësuar me orar të plotë, edhe një është si 20 tjerë, por s’kemi dëshmi relevante se 4 të tjerë janë të angazhuar me gjysmë orari tek ne, që neve na bën të përgjegjshëm t’i shqyrtojmë ata. UEJL do të iniciojë procedurë të caktuar të hetuesisë për të parandaluar këto sjellje tash e tutje” tha rektori Bexheti.

Prorektorja për Hulumtime dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Besa Arifi tha se edhe pse deri më tani, që kur funksionon UEJL, nuk janë denoncuar raste të këtilla, megjithatë inkurajoi studentët që të denoncojnë këto raste abuzive. “Duke u nisur nga këto gjetje shqetësuese të studentëve, ne si UEJL tregojmë seriozitet dhe shqetësim, sepse pavarësisht se sa është relevante anketa, megjithatë qëllimi ka qenë që të fillojmë të diskutojmë hapur.

Mesazhi që u dërgua si për rektorin, si për kryetarin e bordit, si për neve si staf, që këto sjellje janë të pa tolerueshme si universitet. Ky ka qenë qëllimi që të fillojmë t’i diskutojmë, dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që këto raste të zbardhen deri në fund, në bazë të mekanizmave ne që i kemi. Ne kemi shumë instrumente që përdoren në rast të denoncimit të rasteve konkrete kur ngriten, mes tjerash për këto arsye. Ato që janë viktima, duhet dy herë të denoncojnë rastin, njëherë në UEJL dhe njëherë tek organet tjera në gjykatë apo polici”, tha Besa Arifi.

Kryetari i Bordit të Universitetit, Denis Farington, tha se rastet e ngacmimeve seksuale nuk janë të lokalizuara vetëm në Maqedoninë e Veriut, por këto raste paraqesin dukuri edhe në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, shtete të BE-së, ose kudo në botë. “Ju sigurojë se ne si Universitet nuk do të tolerojmë asnjë rast të tillë dhe se kemi procedura shumë efikase për të sqaruar gjithçka”, tha Farington. Rektori Bexheti, ka thënë se do të shqyrtohet mundësia që profesorëve të apostrofuar të mos u vazhdohet kontrata për vitin e ardhshëm.

Prorektorja Besa Arifi, sqaroi se UEJL dhe Klubi Feminist janë të vetëdijshëm për mangësitë e anketës, por se me seriozitet janë marrë shqetësimet e ngritura nga rezultatet e fituar nga anketa. Arifi tha se Universiteti është i obliguar t’u jep hapësirë veprimi studentëve, qoftë edhe për raste të këtilla të shqetësimeve serioze.

Marketing