Ujërat e zeza në Shkup, në lumin Vardar do të ndërtohet stacion filtrues

Me para të Bashkimit Evropian, në lumin Vardar do të ndërtohet stacioni filtrues për ujërat e zeza. Projekti do të kushtojë 136 milionë euro, ndërsa shteti fondet i ka siguruar përmes kredive nga Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investim.

Marketing

Stacioni në Shkup pritet të ndërtohet deri në vitin 2025. Sipas autoriteteve, kjo do të zgjidhë problemin e ujërave të ndotura dhe është një përgjigje ndaj rritjes së popullsisë, urbanizmit dhe industrisë.

“Ndalimi i praktikës së mbeturinave dhe ujërave të ndotura të patrajtuara në lumin Vardar do të përfitojnë jo vetëm banorët e Shkupit, por edhe vendbanimet në afërsi të rrjedhës së lumit Vardar. 68 milion euro do të sigurohen nga Banka Evropiane e Investimeve, si dhe 58 milion euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.”,- deklaroi ministrja e Financave, Nina Angellovska.

Shkupi është një nga disa kryeqytetet në Evropë që nuk ka impiante për trajtimin e ujërave të zeza, thonë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Stacioni do të sigurojë përfitimin më të madh për lumin Vardar.

“Projekti do të rrisë rezistencën e Shkupit ndaj ndryshimeve klimatike, ndërsa rrit edhe sistemin e trajtimit të ujërave të ndotura të qytetit për të përballur motin ekstrem. Projekti ishte një investim vijues nga programi i qyteteve të gjelbra të BERZH-it që synon të ndihmojë qytetet.”,- u shpreh drejtoresha e Infrastrukturës së BERZH-it, Susan Goranson.

Çdo vit, stacioni për pastrim do të trajtojë 51.3 milion metra kub të ujërave të zeza. Do të mbulojë nëntë nga 10 komunat e Shkupit.