Uji në Gostivar nuk duhet të përdoret për asnjë qëllim – Rekomandime për ruajtjen e higjienës në kushte të vështirësuara
Qytetarët këshillohen t’i lajnë shpesh duart me sapun dhe ujë të sigurt, përkatësisht ujë të ambalazhuar, veçanërisht para përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit, pas përdorimit të tualetit, ndërrimit të pelenave dhe kontaktit me një person të sëmurë. Kur nuk ka ujë të sigurt, mund të përdoret dezinfektues me bazë alkooli.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, më 17 korrik, ndaloi përdorimin e ujit të pijshëm nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit, për shkak të dyshimit të bazuar se uji është i ndotur dhe i pasigurt për përdorim.
Për shkak të ndalimit të përkohshëm, qytetarëve u rekomandohet t’i respektojnë masat deri në njoftimin zyrtar se uji është sërish i sigurt. Deri në heqjen zyrtare të ndalesës, uji nga ujësjellësi i qytetit nuk duhet të përdoret për pije, madje as pas zierjes, përveçse nëse institucionet kompetente japin rekomandim tjetër, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik.
“Respektimi në kohë i rekomandimeve e zvogëlon ndjeshëm rrezikun e paraqitjes dhe përhapjes së sëmundjeve që transmetohen përmes ujit. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet foshnjave, fëmijëve të vegjël, grave shtatzëna, personave të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike, të cilët janë më të rrezikuar nga pasojat e rënda të infeksioneve të zorrëve”, theksuan nga Departamenti i Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive.
Uji për pije dhe përgatitjen e ushqimit
Qytetarëve u rekomandohet të mos përdorin ujë nga ujësjellësi i qytetit.
“Siguroni ujë të ambalazhuar gjatë kësaj periudhe. Nevojiten së paku katër litra ujë në ditë për çdo person. Mos e përdorni ujin e ujësjellësit për përgatitjen e ushqimit, larjen e frutave dhe perimeve që konsumohen të freskëta, përgatitjen e akullit, lëngjeve, kafesë, çajit dhe pijeve të tjera. Uji i ujësjellësit nuk duhet të përdoret as për përgatitjen e ushqimit të foshnjave”, thuhet në njoftim.
Duart duhet të lahen shpesh me sapun dhe ujë të sigurt. Kur duart nuk janë dukshëm të papastra dhe nuk ka ujë të sigurt, mund të përdoret dezinfektues me bazë alkooli.
Për larjen e dhëmbëve duhet të përdoret vetëm ujë i ambalazhuar. Për dush dhe larje rekomandohet ujë i sigurt, i ambalazhuar ose i zier, duke pasur kujdes që të mos gëlltitet. Në mungesë të ujit të sigurt, mund të përdoren peceta të lagura ose peshqirë njëpërdorimësh.
Përgatitja e ushqimit
Instituti rekomandon që ushqimi të përpunohet mirë termikisht.
“Shmangni përgatitjen e ushqimeve që nuk gatuhen, nëse nuk mund të përdoret ujë i sigurt. Përdorni pjata dhe takëme njëpërdorimëshe për të shmangur larjen”, thuhet në njoftim.
Rekomandime për restorantet dhe objektet hotelierike
Restorantet, kafenetë dhe objektet e tjera hotelierike nuk duhet ta përdorin ujin e ujësjellësit për përgatitjen e pijeve, larjen e frutave dhe perimeve apo përgatitjen e ushqimit. Duhet të përdoret vetëm ujë i sigurt dhe i ambalazhuar, ndërsa makineritë për prodhimin e akullit nuk duhet të përdoren.
Rekomandime për çerdhet
Fëmijët duhet të pinë vetëm ujë të sigurt dhe të ambalazhuar. Çezmat nuk duhet të përdoren për mbushjen e shisheve, ndërsa ushqimi duhet të përgatitet vetëm me ujë të ambalazhuar.
Kur duhet të kërkohet ndihmë mjekësore?
Qytetarët duhet të kontaktojnë menjëherë mjekun amë ose institucionin më të afërt shëndetësor nëse paraqiten:
- diarre;
- të vjella;
- të përziera;
- dhimbje dhe ngërçe në stomak;
- temperaturë e lartë;
- dobësi;
- shenja të dehidrimit, si etje e madhe, gojë e thatë, urinim i pakësuar dhe plogështi.
Vëmendje e veçantë kërkohet te foshnjat, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe ata me imunitet të dobësuar.
Uji i pasigurt mund të jetë burim i infeksioneve bakteriale, virale dhe parazitare që shkaktojnë gastroenterit.
Për uljen e rrezikut duhet të përdoret vetëm ujë i sigurt për pije dhe përgatitjen e ushqimit, të lahen rregullisht duart, të ndahet ushqimi i papërpunuar nga ai i gatshëm, ushqimi të ruhet në temperaturë të përshtatshme dhe të mbahet higjienë e mirë në kuzhinë. Nuk duhet të ndahen gotat dhe takëmet me persona që kanë simptoma të infeksionit të stomakut.
Qytetarëve u bëhet thirrje t’i ndjekin rregullisht njoftimet e Institutit të Shëndetit Publik, Qendrës së Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Uji nga ujësjellësi i qytetit mund të përdoret sërish për pije vetëm pas njoftimit zyrtar se ndalesa është hequr dhe se uji është i sigurt.
Çfarë duhet bërë pas heqjes së ndalesës?
Pas njoftimit zyrtar për heqjen e ndalesës rekomandohet: / Aktuale.mk
- të lihet uji të rrjedhë nga pesë deri në dhjetë minuta;
- të zbrazen dhe pastrohen pajisjet për ujë;
- të hidhet akulli i përgatitur gjatë periudhës së ndalesës;
- të ndërrohen filtrat, nëse kjo rekomandohet nga prodhuesi.
