Ndeshja e Play Off-it në Ligën e Kombeve ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Kosovës do të luhet pa praninë e shikuesve.
Ky vendim është marrë nga Federata e futbollit maqedonas, pas konfirmimit se disa persona janë të infektuar me Coronavirus në këtë shtet.
Madje, për arsye të njëjta, ky takim shumë i rëndësishme për të dy kombëtaret, mund edhe të shtyhet për një datë tjetër.
Lidhur me vendimin e FFM-së, ka folur kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani.
Ai tha se përkrah një vendim të tillë, marrë parasysh situatën shumë të rënduar në Itali, ku edhe luan ai, dhe në vendet tjera evropiane.
“Gjendja në Itali është shumë e rëndë, jemi mbyllur nëpër shtëpi dhe jemi në një moment shumë të vështirë. Shpresojmë që së shpejti ta kalojmë këtë gjendje të tmerrshme”, tha fillimisht Ujkani.
Sipas Ujkanit, më me rëndësi është shëndeti i njerëzve sesa ndeshja ndaj Maqedonisë së Veriut.
Prandaj edhe e ka mirëpritur vendimin që dueli të zhvillohet pa shikues. Po ashtu gardiani i portës së Kosovës shpreson që ndeshja të shtyhet për një datë tjetër, derisa të kaloj kjo situatë e krijuar dhe me pas takimi të zhvillohet më tifozë.
“Mendoj që është marrë vendim i mirë që ndeshja të zhvillohet pa shikues, pasi është shumë më me rendësi shëndeti i të gjithë qytetarëve. Por, personalisht mendoj se ndeshja duhet të shtyhet dhe të zhvillohet në një kohë tjetër dhe me tifozë, pasi “Dardanët” për ne janë shumë të rëndësishëm dhe prania e tyre na jap motivim si kur luajmë në “Fadil Vokrri” ashtu edhe në stadiumet jashtë Kosovës”, tha ai.
Kapiteni i Dardanëve tregoi se edhe në klubin e Torinos, ku ai është i angazhuar, po bëjnë vetëm stërvitje të lehta dhe të ndarë në katër grupe për shkak të pranisë së coronavirusit.
“Po shkojmë në seanca stërvitore, po bëjmë vetëm stërvitje të lehta, pasi situata e krijuar na pamundëson të zhvillojmë përgatitjet e duhura. Jemi ndarë në katër grupe, pasi nuk po na lejohet të stërvitemi të gjithë së bashku, shkaku i frikës nga coronavirusi”, tregoi 31 vjeçari.
Ndeshja mes Maqedonisë Veriore dhe Kosovës është paraparë të zhvillohet me 26 mars në stadiumin “Toshe Proeski Arena” në Shkup.