Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u kërkoi të martën qeverive të vendeve të tjera të dërgojnë më shumë armë dhe sa më shpejt për të ndihmuar në luftën e Ukrainës kundër forcave ruse.
“Ofensiva ruse në Donbas është një betejë e pamëshirshme, më e madhja në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore. U bëj thirrje partnerëve të përshpejtojnë dërgesat e armëve dhe municioneve”, shkruante zoti Kuleba në Twitter.
Ministria e mbrojtjes e Britanisë tha të martën se forcat ruse kanë rritur intensitetin e operacioneve të tyre në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore ndërsa përpiqen të rrethojnë qytete të shumta.
Thirrja e zotit Kuleba për më shumë ndihmë ushtarake erdhi një ditë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se rreth 20 vende po dërgojnë ndihma të tjera ushtarake për Ukrainën.
“Shumë vende po dhurojnë municione artilerie me rëndësi kritike, sisteme mbrojtjeje bregdetare, tanke dhe automjete të tjera të blinduara. Vende të tjera morën angazhime të reja për stërvitjen e forcave të Ukrainës dhe mbështetjen e sistemeve të saj ushtarake,” u tha zoti Austin gazetarëve në Pentagon, pas takimit të dytë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Në takimin e së hënës morën pjesë 47 vende. Takimi i radhës i grupit do të mbahet më 15 qershor në Bruksel.
“Të gjithë ne këtu i kuptojmë pasojat e kësaj lufte dhe ato shtrihen shumë përtej Evropës,” tha Sekretari Austin.