Ukraina godet një aeroport rus të bombarduesve strategjikë, shkakton shpërthim të madh

Ukraina goditi të enjten me dronë një fushë ajrore të rëndësishme ruse të bombarduesve strategjikë, duke nxitur një shpërthim të madh dhe një zjarr rreth 700 kilometra larg vijave të frontit, thanë zyrtarë rusë e ukrainas.

Në disa video të vërtetuara nga agjencia e lajmeve “Reuters” shihet shpërthimi i madh duke u shpërndarë nga fusha ajrore, duke i dëmtuar rëndë shtëpizat afër. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 132 dronë ukrainas në rajonet ruse.

Në video të tjera të vërtetuara shfaqej një shtëllungë e madhe tymi duke u ngritur në qiellin e agimit dhe një zjarr intensive.

Baza në qytetin rus Engels, e cila daton që nga periudha sovjetike, mban bombardues të rëndë strategjikë të tipit “Tupolev Tu-160” që mund të bartin armë bërthamore. Këta aeroplanë njihen edhe si “mjellmat e bardha”.

Roman Busargin, guvernator i rajonit Saratov, tha se ka pasur një sulm ukrainas me dronë ndaj qytetit Engels që e kishte lënë në zjarr fushën ajrore dhe se banorët afër zonës ishin evakuuar. Ai nuk e përmendi në mënyrë të saktësuar bazën në Engels, por ajo është fusha ajrore kryesore në zonë.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se forcat e saj e kishin goditur fushën ajrore dhe kishin nxitur shpërthime dytësore të municionit. Kievi thotë se Rusia e ka përdorur bazën në Engels për të kryer sulme ndaj Ukrainës.

Dhjetë persona pësuan lëndime nga sulmi, thanë zyrtarët lokalë. Disa banorë lokalë u shprehën të befasuar, kur gjetën pjesë të ndryshme të dronëve ukrainas në oborret e tyre. Kanali “Shot” në rrjetin “Telegram” tha se Ukraina kishte sulmuar me dronë të llojeve PD-2 dhe “Liutyi”./Nacionale

Marketing