Mbrojtja ajrore e Ukrainës ka shkatërruar 60 nga 76 raketat. Zyrtarët e kryeqytetit kanë thënë se vetëm në drejtim të Kievit vinin 40 raketa. Ata kanë thënë se sulmi i së premtes ishte më i madhi qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Forcat ruse kanë bombarduar të premten gjithë Ukrainën me 76 raketa dhe dronë. Cak i këtyre raketave ishin kryeqyteti Kievi dhe qytetet në veri, jug, perëndim dhe qendër të vendit.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se nëntë qendra të energjisë elektrike janë goditur, duke lënë në terr gati krejt territorin e Ukrainës. Dy persona kanë vdekur kur një raketë goditi ndërtesën në Kryvyi Rih dhe një tjetër vdiq në Kherson.
Sulmet janë shpeshtuar gjatë kësaj jave kur Rusia ka cak edhe infrastrukturën civile.
Operatori energjetik Ukrenegro ka thënë se sistemi energjetik ka humbur më shumë se gjysmën e kapacitetit shkaku i sulmeve ajrore.
Këshilltari i Ministrisë së Mbrojtjes, Yuri Sak, ka thënë se shërbimet emergjente janë angazhuar për të kthyer energjinë elektrike, mirëpo situata ka qenë shumë e vështirë. Sulmet e vazhdueshme të Rusisë kanë vështirësuar edhe më shumë riparimin e pajisjeve.
Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkivi, ka qenë tërësisht pa energji elektrike, ashtu si rajonet në veri. Kryetari i Kharkivit, Igor Terekhov ka thënë se dëmi në infrastrukturë është kolosal. Deri të premten ka rezistuar vetëm metroja e Kievit.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës ka shkatërruar 60 nga 76 raketat. Zyrtarët e kryeqytetit kanë thënë se vetëm në drejtim të Kievit vinin 40 raketa. Ata kanë thënë se sulmi i së premtes ishte më i madhi qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
“Kjo është shumë e vështirë, por jemi mësuar me këto sulme”, ka thënë 42-vjeçarja Oksana, e cila jeton në kryeqytet. “Nuk duam që fëmijët tanë të jetojnë nëpër bodrume. Nuk e dua këtë për ata”.
Ukraina e ka akuzuar Rusinë për “armatosjen e dimrit” duke goditur objektet thelbësore pasi temperaturat në pjesën më të madhe të vendit janë nën zero.
Ndërkaq në qytetin jugor të Kherson, një tjetër vdekje u konfirmua nga prokurorët. Ata kanë thënë se nga raketa është shkaktuar zjarri në bllokun banesor.
Tre punonjës në objektet e energjisë në rajonin e Dnipropetrovsk u plagosën nga sulmet me raketa.
Sulmet e Rusisë gjithashtu ndërprenë energjinë në rajonin Sumy afër kufirit verior me Rusinë dhe në qytetet qendrore Poltava dhe Kremenchuk.
Pesëmbëdhjetë raketa thuhet se u hodhën në Zaporizhzhia në jug, ndërsa kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko, ka thënë se disa zona të qytetit u goditën. Dëmtimi i infrastrukturës energjetike ka pamundësuar furnizimin me ujë të kryeqytetit dhe linjat e metrosë së qytetit për momentin nuk funksionojnë, ka thënë ai.
Kreu i administratës rajonale, Oleksiy Kuleba, ka thënë se Rusia “po sulmonte rëndë Ukrainën”.
Rusia ka lëshuar më shumë se 1 mijë raketa dhe dronë të prodhuar nga Irani që nga fillimi i valës së sulmeve më 10 tetor, megjithëse shumica e tyre janë kapur nga mbrojtja ajrore. Breshëria më e madhe, në mes të nëntorit, përfshiu më shumë se 100 raketa dhe dronë.