Ulen vdekjet e foshnjave të sapolindura, ankesa për mungesë të personelit mjekësor

Në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup është ulur në 5,6 % numri i foshnjave të lindura parakohe si dhe atyre me sëmundje kritike. Sipas të dhënave nga Gjinekologia, vetëm një vit më parë kjo përqindje ishte 8,2 %. Ndërkaq viti 2016 llogaritet si viti më kritik me 25% të foshnjave të lindura parakohe.

Marketing

“Këtë vit madje kemi ulur kufirin në javën e 24 të shtatzënisë. Kemi 25% rritje të mbijetesës në javën e 24 që dikur ishte e pabesueshme. Nga java e 26 veç më kemi 70% të mbijetesës. Njëkohësisht paraqitet nevoja që mos të jetë sfidë vetëm mbijetesa por edhe përmirësimi i shëndetit të fëmijëve të parakohshëm”, tha Renata Dimitriovska, neonatologe.

Pavarësisht kësaj uljeje, drejtuesit e Gjinekologjisë urgjentisht kërkojnë staf të mjekësor sepse, siç thanë nga ky institucion, thuajse për çdo ditë ka largime nga puna.

“Dua të falënderoj të gjithë të punësuarit në repart sepse po punojmë me numër shumë të vogël të të punësuarve. Urgjentisht kemi nevojë për mjek dhe infermier sepse për çdo ditë po ikin nga ky repart për shkak se ballafaqohen me sfida të mëdha dhe detyra të rënda, ajo është 24 orë punë pa pushim”, u shpreh Viktoria Jovanovska, drejtore e Gjinekologis.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti tha se dikasteri që ai drejton do të krijojë të gjitha kushtet për kujdes të mirëfilltë të fëmijëve të lindur parakohe.

“Ministria e Shëndetësisë do të mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi ku çdo foshnje e lindur parakohe të marr kujdes me standardet më të larta. Kemi qenë dëshmitar duke parë shumë familje të buzëqeshura që largohen nga kjo klinikë me foshnje të lindura me peshë vetëm disa qindra gramë, më e vogla prej tyre vetëm 660 gramë”, deklaroi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Në ditën botërore të fëmijëve të lindur para kohe gjithashtu u tha se në botë në nivel vjetor lindin 15 milionë fëmijë para kohe. /Alsat.mk

Marketing