Ulet vdekshmëria e foshnjave, masa të reja për kontrolle të shtuara në zonat rurale

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në prezantimin e projektit për uljen e vdekshmërisë së foshnjave dhe nënave, potencoi se Qeveria me masat që ka ndërmarrë deri më tani, krahasuar me vitin 2017-’18, është ulur për 30 përqind vdekshmëria e foshnjave të sapolindura.

Marketing

“Jemi të vetëdijshëm se vdekshmëria e foshnjave nuk vjen vetëm nga trajtimet dhe kushtet në spitale por edhe në lëshimet dhe problemet që ndodhin në shëndetësinë sekondare dhe terciare. Në vitin 2017 në Klinikën për Gjinekologji dhe Akusheri kanë humbur jetën 36 foshnja të sapolindura nga 1000 të lindur, ndërsa në vitin 2018 kanë humbur jetën 24 foshnje, që është një rënie prej 30 për qind’’, theksoi Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Ndërkohë në muajin janar të këtij viti në Spitalin e Gjinekologjisë dhe Akusherisë “Nënë Tereza” kanë lindur 59 foshnja me lindje të parakohshme. Valon Bela, drejtor ekonomik i kësaj klinike tha se situata është menaxhuar mjaft mirë edhe pse klinika ka kapacitet vetëm për 23 foshnja të lindura para kohe.

“Kemi hapësira dhe kemi personel dhe e kemi menaxhuar bukur mirë duke i trajtuar me kujdes të duhur të gjitha foshnjat. Mundësitë kanë qenë të tilla që ne mund t’i akomodojmë vetëm 23 foshnje, mirëpo në raste urgjente të tilla duhet t’i dilet në ndihmë edhe nënës edhe foshnjave. Kur kemi raste të tilla emergjente ekziston konzeliumi i gjerë profesional ku thirren të gjithë klinikat të ulen së bashku dhe ndahen përgjegjësitë në mënyrë që t’ju dalim në ndihmë’’, deklaroi drejtori ekonomik në Spitalin Gjinekologjik ‘’ Nënë Tereza’’, Valon Bela.

Ndërkohë për të parandaluar vdekshmërinë e foshnjave dhe nënave, Ministria e Shëndetësisë ka përpiluar plan i cili obligon gjinekologët specialistë të nivelit sekondar që të kryejnë kontrollet e nivelit primar në zonat ku ka mungesë të gjinekologëve dhe ambulancave gjinekologjike. Ndër të tjera plani parasheh që përmes ambulancave mobile gjinekologjike të vizitohen gratë e zonave rurale ku nuk ka aspak gjinekologë.

Marketing