Fondacioni Telekom për Maqedoninë dhe UNICEF publikuan partneritet për zgjerimin e mundësive për kyçjen e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara në shoqërinë digjitale. Partnerët, së bashku me të rinjtë do të krijojnë zgjidhje digjitale inovative për qasje më të mirë në arsim dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në bashkësi.
“Digjitalizimi do të sjellë mundësi shumë të reja dhe transformim të plotë të shoqërisë. Ne, si një prej bartësve kryesorë të këtij transformimi e kemi për obligim ta bëjmë teknologjinë më të mirë, por edhe përgjegjësi të krijojmë kushte korrekte. Partneriteti me UNICEF-in është pikërisht kjo iniciativë për uljen e hendekut digjital për përfshirjen e barabartë të grupeve të ndjeshme. Në të njëjtën kohë është edhe thirrje për ngritjen e vetëdijes se të gjithë ne jemi kreatorë dhe duhet të krijojmë shoqëri digjitale korrekte ku teknologjia, para së gjithash, do t’u shërbejë njerëzve” – deklaroi Nikolla Lushev, Kryetar i Fondacionit Telekomi për Maqedoninë.
“Adoleshentët dhe të rinjtë kanë potencial të madh të pashfrytëzuar – për nga natyra kanë pasion për risi dhe dëshira t’i zhvendosin kufijtë. Të rinjtë me pengesa nuk dallojnë. Ky partneritet është krijim i përbashkët me ta që të gjejnë zgjidhje inovative për barriera të vërteta me të cilat fëmijët dhe të rinjtë ballafaqohen çdo ditë në shkollë dhe jetë” – deklaroi Benxhamin Perks, përfaqësues i UNICEF-it.
Partneriteti përbëhet prej dy nismave të mëdha të cilat do të bëjnë ndryshim real në jetën e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara.
„Generation Unlimited” – thirrje publike deri tek inovatorët e rinj nga vendi për shpikjen e zgjidhjeve ideale për zvogëlimin e barrierave me të cilat fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen në arsim dhe jetën e përditshme. Do të formohen dhjetë ekipe të cilat do të punojnë në zhvillimin e ideve për zgjidhje digjitale, ndërsa në çdo ekip do të ketë një person me aftësi të kufizuara. Ekipet do të punojnë nën udhëheqjen e inxhinierëve, të marketingut dhe specialistëve IT nga Makedonski Telekom, ndërsa tre idetë më të mira do të financohen dhe realizohen. Thirrja publike me të gjitha detajet do të publikohet në vjeshtë, të këtij viti.
“Pa kufij” – hartë digjitale për qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Përmes partneritetit do të përpunohet harta digjitale për qasje me të cilën njerëzit do të mund të informohen dhe t’i theksojnë barrierat, por edhe shembujt pozitiv të qasjes në: ndërtesa, shtigje për këmbësorë dhe kalime, transport publik, parking, kënde për lodra, tualete etj. Përmes partneritetit harta do të përpunohet si platformë digjitale. Qëllimi është përmes kësaj vegle digjitale të sigurohet lëvizje më e lehtë dhe qasje që është një prej bazave për trajtimin e barabartë të këtyre personave. Me kohë platforma do të zhvillohet në mënyrë plotësuese në bashkëpunim me institucionet kompetente, organizatat lokale dhe shoqatat e prindërve.
Ky është partneriteti i dytë i UNICEF-it dhe Fondacionit Telekomi për Maqedoninë. Në vitin 2015 nën sloganin “5 të parat janë më të mbarat” u hapën 8 qendra për zhvillimin e hershëm të fëmijëve me të cilat fëmijët e mjediseve rurale fituan mundësi të barabarta për edukim të hershëm, që u ndihmon të jenë më të mirë në shkollë dhe në përgjithësi në jetë.