Kryeministri, Hristijan Mickoski, i gatshëm për unifikim mbarëkombëtar sa i përket çështjeve shtetërore, respektivisht eurointegrimit pas thirrjeve të presidentes, por edhe kreut të LSDM-së, Venko Filipçe. Kryeministri pohon se nuk ka komunikim me Filipçen për këtë temë, por thotë se edhe vetë ai ka nxitur një iniciativë të ngjashme, krijimin e një strategjie afatgjate se kah duhet të ecë shteti.
“Është mirë të kemi debate të tilla, ku do të kemi unifikim nacional. Unë e përshëndes këtë dhe gjithmonë jam i gatshëm të bisedoj me gjithsecilin, i cili ka çfarëdo lloj ideje apo propozim që do të thotë pajtim nacional. Sa i takon çështjeve evropiane, absolutisht jam i përgatitur. Këtu s’ka asnjë dilemë.”, – deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryeministri nuk përjashton mundësinë që të realizojë takime edhe me palën bullgare edhe pse fqinji lindor nuk planifikon të lëvizë nga pozicioni aktual.
“Ndryshimi i Kushtetutës që kërkohet nga ne, është pengesë vetëm për nisjen e bisedimeve. Kjo nuk është pengesë për fundin. Andaj, ne po përpiqemi të riprojektojmë fillimin, i cili duhet të paraqesë edhe fundin.”, – theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski