Universitetet publike shqiptare e organizuan Konferencën e Dytë Studentore

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli bashkë me Kryetarin e Parlamentit
Studentor Ladon Murseli dhe me një grup studentësh, morën pjesë në edicionin e dytë të
Konferencës Shkencore Ndërkombëtare Studentore me temë: ‘Kërkimi shkencor dhe edukimi në perspektivën e studentëve dhe të studiuesve të rinj – UT flet me zërin e studentëve’.
Kjo konferencë e cila u organizua nga Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me
Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Tetovës, punimet i zhvilloi në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Tiranës. Kryetarja e bordit organizativ të konferencës, Prof. Dr. Elsa Skënderi theksoi se në këtë edicion konferenca është pasuruar me pjesëmarrje të 182 studiuesve shkencorë të cilët prezantojnë 127 punime shkencore nga shkencat e albanologjisë, shkencat e natyrës, shkencat sociale, juridike, ekonomike etj.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli në fjalën e tij drejtuar studentëve
pjesëmarrës në këtë ngjarje shkencore foli mbi perspektivën dhe sfidat me të cilat do të përballen ata në të ardhmen si hulumtues shkencorë. “Studentët nuk janë thjesht individë që frekuentojnë një institut arsimor, por ata janë liderët e ardhshëm të shoqërisë. Janë ata që do të krijojnë vendet e punës, që do të zhvillojnë teknologji të reja, që do të krijojnë politika për një të ardhme më të mirë dhe që do të kontribuojnë në një shoqëri më të drejtë dhe të qëndrueshme. Për këtë arsye, roli Juaj si studentë është shumë i rëndësishëm. Në këtë kontekst, duhet kuptuar se arsimi është një instrument
i fuqishëm për zhvillim. Ai na mundëson të zhvillojmë mendimin kritik, të krijojmë zgjidhje për sfidat e ndryshme dhe të kontribuojmë në pasurimin e shoqërisë. Nuk është vetëm një mundësi për të mësuar, por një mundësi për të kontribuuar dhe për të qenë pjesë aktive e ndryshimeve pozitive.
Çdokush nga Ju, nesër mund të jetë ndryshimi dhe të jetë lideri mes nesh.” – tha Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Në emër të universiteteve bashkorganizatore, fjalë rasti mbajtën edhe zëvendësrektorja e
Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Anila Paparisto dhe Prof. As. Dr. Zamira Hyseni nga Universiteti i Prishtinës. Ato mes tjerash theksuan se Konferenca Shkencore Ndërkombëtare Studentore duhet të shndërrohet në një platformë për nxitjen e studentëve në fushën e kërkimit shkencor, inovacionit dhe kreativitetit.

Marketing
Marketing