Universiteti i Evropës Juglindore shpalli Konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin e ri akademik

Universiteti i Evropës Juglindore ka shpallur të hapur Konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin e ri akademik 2022-23. Risi këtë vit, përveç ofertës me programe të reja studimore, është edhe hapja e fakultetit të ri, atë të Shkencave Shëndetësore, të cilin Qeveria e ka miratuar që para festës së Vitit të Ri 2022.

Marketing

Zgjerimi i UEJL-së është si rrjedhojë e strategjisë së miratuar nga Bordi për shtrirje horizontale në të gjitha fushat për të cilat ky institucion ka potencial si kadrovik, hapësinor ashtu edhe teknologjik.

“UEJL është institucion i konsoliduar arsimor dhe oferta e tij akademike çdoherë bazohet në hulumtimet e tregut dhe kërkesave të tij për kuadër profesionist. Studenti është në qendër të vëmendjes, kurse gjithëpërfshirja në çdo proces vendimmarrës është model i punës dhe funksionimit tonë. “, thotë rektori Bexheti.

Oferta e re akademike, përveç me drejtimet e shkencave shëndetësore, është plotësuar me drejtime ndërdisiplinore, kryesisht duke inkorporuar TI-në, me qëllim përgatitjen e kuadrove cilësorë në profesionet e së ardhmes. Informatika Juridike, që ofrohet në Fakultetin Juridik dhe Informatika e Biznesit , që ofrohet në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, si dhe drejtimi Energji, Ekonomi dhe Mjedisi Jetësor që ofrohet në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë janë drejtimet, që pritet të ngjallin interes të studentët e ardhshëm. Mjaft atraktiv vazhdon të mbetet drejtimi Arkitekturë dhe Dizajn dhe drejtimi i ri Dizajni Digjital. Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, përveç drejtimeve tashmë të etabluara, si Komunikimi Ndërkombëtar, gjuha angleze dhe gjermane, ofron edhe drejtimin Përkthim dhe Interpretim. Fakulteti i Shkencave Shoqërore këtë vit për studentët ofron drejtimin Punë dhe Politikë Sociale, përveç drejtimeve tashmë të dëshmuara të administrimit publik.

Në kuadër të ofertës akademike, për vitin e ri akademik mjaftë atraktive është edhe oferta e bursave, ku të gjithë maturantët, të cilët në shkollën e mesme kanë arritur sukses të shkëlqyeshëm (5.00), fitojnë bursë të plotë që mbulon 60%, të pagesës së shkollimit. Maturantët, të cilët në shkollën e mesme kanë arritur sukses prej 4.5 – 4.99, fitojnë bursë për mbulimin e pagesës së shkollimit prej 40%. Lehtësime financiare ka edhe për studentin e dytë dhe të tretë të familjes, që studiojnë njëkohësisht, të cilët fitojnë 15%, respektivisht 25%. Mundësi shumë e mirë dhe unike e UEJL-së është programi “Puno dhe Studio”, ku studentët e angazhuar punojnë në shërbimet kryesore të Universitetit, kundrejt kompensimit financiar që u jepet për orët e angazhimit, i cili më pas minusohet nga pagesa e shkollimit.

Në konkursin për regjistrimin e studentëve për vitin e ri akademik, UEJL, ofron 25 programe studimore, në gjuhën shqipe dhe maqedonase, ku prej tyre 11 do të ofrohen edhe në gjuhën angleze. Në ciklin e dytë (master), këtë vit ofron 22 programe studimore, ku katër programe gjuhës studimi e kanë gjuhën angleze. Në studimet e doktoratës, këtë vit ofrohen 10 programe studimore dhe prej tyre gjashtë ofrohen edhe në gjuhën angleze.