Universiteti i Tetovës dhe Agjencia për promovimin e sipërmarrjes e RMV-së memorandum bashkëpunimi

Universiteti i Tetovës dhe Agjencia për promovimin e sipërmarrjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Në takimin, që sot u realizua në mes udhëheqësisë së Universitetit tonë dhe udhëheqësisë së kësaj Agjencie u bë edhe nënshkrimi i këtij memorandumi, nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Drejtori i Agjencisë për promovimin e sipërmarrjes, Hajrulla Misini.

Marketing


Ky memorandum synon të krijojë bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës ndërmjet palëve nënshkruese. Po ashtu, përfshin edhe realizimin e bashkëpunimit shkencor, arsimor dhe aplikativ ndërmjet palëve kontraktuese. Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, si seminare, konferenca, punëtori dhe të ngjashme, si dhe krijimin dhe organizimin e veprimtarive të tjera, që synojnë mirëqenien e përgjithshme të të dy institucioneve, si dhe forma të tjera të bashkëpunimit, që të dy institucionet do t’i përcaktojnë së bashku.


Në bazë të këtij memorandumi, palët nënshkruese, në bazë të rregullave dhe interesave të tyre të brendshme, mund të lidhin marrëveshje të veçanta për bashkëpunim të ndërsjellë. Veç kësaj, palët janë zotuar se do të ndajnë informata relevante me interes të ndërsjellë; do të marrin pjesë në trajnime profesionale, seminare, konferenca, tryeza të rrumbullakëta dhe ngjarje të tjera, që lidhen me forcimin e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimeve të të dy institucioneve; do të kontribuojnë në zhvillimin e programeve të përshtatshme me nevojat e përdoruesve të shërbimeve të institucioneve, që janë nënshkruese të marrëveshjes; do të ndihmojnë njëri-tjetrin me këshilla profesionale dhe do të ndajnë përvojat ekzistuese dhe të reja, të rëndësishme për fushat e tyre të veprimtarisë dhe grupeve respektove, e të tjera.