“Rritja e aftësive digjitale te studentët e rajoneve të pazhvilluara kodrinore – malore” është projekti që do të realizohet nga Universiteti i Tetovës dhe Byroja për zhvillim rajonal e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Për implementimin e këtij projekti arsimor, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe drejtori i Byrosë për zhvillim rajonal, z. Ramiz Rexhepi, më 4 tetor 2022 e nënshkruan kontratën e bashkëpunimit.
Përmes realizimit të këtij projekti synohet zbatimi dhe stimulimi më i madh i investimeve private në sinergji me ato publike, që nënkupton planifikimin dhe zbatimin e investimeve publike për të siguruar zhvillim më të barabartë rajonal. Gjithashtu, nëpërmjet këtij projekti planifikohet që rajonet e planifikimit të jenë më tërheqëse, me shërbime lokale të përmirësuara, me qasje efektive në tregun e punës, sigurimin e një shkalle më të lartë të barazisë gjinore dhe mbrojtje sociale efektive të grupeve më të prekura të popullsisë.
Ndërsa objektivi tjetër strategjik i projektit në fjalë është forcimi i ndjeshëm i politikës së zhvillimit rajonal, përmirësimi i instrumenteve financiare për zbatimin e saj dhe ndërtimi i kapaciteteve administrative në nivel qendror, rajonal dhe lokal.
Në kuadër të Universitetit të Tetovës mësimin e ndjekin studentë që vijnë nga pjesët e pazhvilluara kodrinore dhe malore të rajonit të Pollogut. Përvojat dhe njohuritë tregojnë se aftësitë digjitale të këtyre nxënësve janë në nivel më të ulët, ndaj lind nevoja për përforcimin e kapaciteteve të tyre. Ky projekt do të kontribuojë në edukimin digjital të studentëve të rinj dhe trajnimin e tyre në përdorimin teknologjisë.