Universiteti i Tetovës dhe Kolegji AAB nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti e priti në takim Rektorin e Kolegjit AAB nga Republika e Kosovës, Doc. Dr. Bujar Demjaha. Fillimisht, ato diskutuan rreth zhvillimeve dhe arritjeve të fundit në universitetet përkatëse dhe më pas trajtuan shumë tema, të cilat janë me interes të përbashkët.

Marketing

Në këtë takim, ato nënshkruan edhe një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të nxitjes së mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimit në fushën arsimore dhe atë të hulumtimeve shkencore. Memorandumi parasheh përfshirjen në projekte të përbashkëta kërkimore shkencore, shkëmbim të stafit akademik dhe studentëve, shkëmbim të botimeve shkencore për qëllime kërkimi dhe arsimimi, nxitjen dhe vënien e kontakteve me shkencëtarë të shquar nga qendrat tjera akademike, me qëllim pjesëmarrjen në projekte të ndryshme ndërkombëtare e tjera të profesorëve dhe studentëve të universiteteve tona.

Palët ndër të tjera janë dakorduar edhe për organizimin e përbashkët të seminareve, konferencave, punëtorive, debateve, tryezave dhe të trajnimeve të ndryshme. Në përmbyllje të takimit, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe Rektori i Kolegjit AAB, Doc. Dr. Bujar Demjaha ndanë të njëjtin mendim për mobilitet të të gjitha universiteteve të shqiptarëve.