Një delegacion i Universitetit “Kadri Zeka” nga Gjilani i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi, më 19 mars 2019, e vizitoi Universitetin e Tetovës, me ç’rast u pritën në takim nga Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe ekipi i tij.
Ky takim i zhvilluar mes drejtuesve të të dy universiteteve kishte karakter miqësor dhe u diskutuan shumë çështje, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit në të dy universitetet, veprimtarinë e tyre deri më tani si dhe sfidat dhe peripecitë të cilat i presin në të ardhmen.
Ata po ashtu theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm mes dy universiteteve ka qenë në nivel dhe se i njëjti duhet të vazhdojë mes dy institucioneve tona të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut me qëllim lehtësimin e lëvizjes së kuadrove të mësimdhënësve, por edhe të studentëve. Theks i veçantë iu kushtua edhe organizimit të përbashkët dhe pjesëmarrjes në seminare, kurse, konferenca dhe projekte të ndryshme kërkimore – shkencore me karakter ndërkombëtar.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, tha se Universiteti ynë përveç bashkëpunimit që ka me shumë universitete ndërkombëtare, rëndësi të posaçme i kushton edhe bashkëpunimit me universitetet shqiptare nga vendi, Shqipëria dhe Kosova duke i kushtuar vëmendje shkëmbimit reciprok të kuadrit të stafit akademik, studentëve, si dhe shkëmbimit të ndërsjellë të informacioneve arsimore dhe shkencore.
Ndërsa Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” nga Gjilani, Prof. Dr. Bajram Kosumi, e falënderoi Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe ekipin e tij për mikpritjen si dhe bashkëpunimin korrekt që kanë treguar deri më tani.
Ai mes tjerash shtoi se Universiteti “Kardi Zeka” si një universitet i ri për nga mosha, ka nevojë për përvojat dhe eksperiencat e Universitetit të Tetovës si në veprimtarinë arsimore – shkencore, por edhe në atë të bashkëpunimit ndërinstitucional me universitetet tjera nga vendi, rajoni dhe bota.
Pas përfundimit të takimit, dy rektorët shkëmbyen dhurata mes tyre dhe bashkërisht vizituan edhe disa laboratorë: atë të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, laboratorin e kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore si dhe laboratorin e ndërtimit në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara. Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Kadri Zeka” për herë të parë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fillim të majit të vitit 2015.