Universiteti i Tetovës e përkujtoi poeten Lindita Ahmeti

Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës përmes një ore letrare e përkujtoi sot poeten Lindita Ahmeti.

Marketing

Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani u shpreh se në botën letrare, Lindita u paraqit në fillim të viteve të 90-ta si një zë i veçantë dhe shumë shpejt poezia e saj u gjet në fokusin e studiuesve dhe kritikëve më të njohur letrar. “Me vdekjen e saj humbi poezia, gjuha shqipe dhe kultura shqiptare në përgjithësi. Lindita një periudhë të jetës së saj ka qenë e angazhuar në fakultetin tonë. Ndihem shumë krenar si dekan i Fakultetit Filologjik se me propozimin tonë Lindita Ahmeti fitoi çmimin shtetëror “11 Tetori” për vepër jetësore për vitin 2022” – tha dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.

Për krijimtarinë letrare dhe jetën e saj folën profesori Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe profesoresha Doc. Dr. Vjollcë Berisha. Ata evokuan kujtime të ndryshme dhe përmes poezisë së poetes Lindita Ahmeti sollën në vëmendje veçantinë e veprave të saj, të cilat do të jenë të pranishme përjetësisht.

Në përmbyllje të këtij manifestimi studentet e katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, recituan disa nga poezitë e autores Lindita Ahmeti, teksa më pas, u promovua edhe revista e studentëve “Përtej”.