Nën moton e Organizatës Botërore të Shëndetësisë: “Shëndet për të gjithë, sigurim shëndetësor universal për çdonjërin dhe kudo”, Fakulteti i Shkencave Mjekësore i Universitetit të Tetovës e shënoi 7 Prillin – Ditën Botërore të Shëndetësisë. Në këtë manifestim morën pjesë një numër i madh i personaliteteve publike, si: Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, zëvendësministri i Shëndetësisë, Asim Musa, drejtori i Fondit pensional, Orhan Ramadani, deputetë, mjekë, profesorë dhe studentë. Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, në fjalën e tij apeloi deri tek institucionet që rëndësi të veçantë t’i kushtohet mbrojtjes shëndetësore falas.
“Në vendet ku nuk mund të ofrohet mbrojtje shëndetësore falas, qytetarët janë të detyruar të zgjedhin se ku do t’i shpenzojnë të ardhurat e tyre të pakta – për nevoja shëndetësore ose për nevoja të tjera elementare. Në këtë mënyrë, shpesh e anashkalojnë paraqitjen në kohë te mjeku për problemet shëndetësore, e cila pastaj e rëndon situatën shëndetësore të tyre dhe kërkon shpenzime akoma më të mëdha për mjekim të mirëfilltë. Kjo gjë e thellon varfërinë dhe thellon pabarazinë mes qytetarëve. Mbrojtja e qytetarëve nga pasojat financiare që ata mund t’i kenë me harxhimet për shërbime shëndetësore primare e zvogëlojnë rrezikun e varfërimit të tyre, sepse sëmundjet e papritura kërkojnë që qytetarët t’i harxhojnë mbase edhe të gjitha kursimet e tyre, t’i shesin pasuritë e tyre, ose të futen në borxhe, duke e shkatërruar kështu të ardhmen e vet, ndërsa shpesh edhe të fëmijëve të tyre”, tha Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha.
Në këtë aktivitet, fjalë rasti mbajti edhe ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe. Ai, në fjalën e tij u fokusua në takimin që zhvilloi me drejtuesit e Universitetit të Tetovës, si dhe projektet të cilat në të ardhmen do t’i realizojë ministria që ai e drejton.
“Sot patëm rastin ta vizitojmë Fakultetin e Shkencave Mjekësore të Universitetit të Tetovës. Realizuam takim me Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe dekanin e fakultetit, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, me të cilët biseduam për avancimin e diturive te studentët e mjekësisë. Para disa javësh nënshkruam Memorandum për bashkëpunim, me të cilin për herë të parë studentët do të mund të edukohen edhe në kuadër të Spitalit “8 Shtatori”, që është një përfitim mjaft i madh, për shkak se ai spital është institucion shëndetësor në të cilin punojnë ekspertë të dalluar të specialiteteve të caktuara dhe besoj se studentët atje në mënyrë të dukshme do t’i përforcojnë dituritë e tyre.
Disa muaj me radhë kemi zhvilluar bisedime edhe me udhëheqësinë e universitetit, por edhe me dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, që t’í hapim dyert e të gjitha institucioneve shëndetësore, për të gjithë studentët e mjekësisë, pa marrë parasysh se në cilin universitet studiojnë, që mendoj se është mjaft e rëndësishme. Këtu i planifikojmë edhe spitalet private, pasi ne mendojmë se kudo që punojnë ekspertë të mirënjohur, duhet të kenë qasje studentët, pasi kjo është në favorin e tyre, por është favor që në të ardhmen do të jetë për të mirën e pacientëve”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Pjesa kryesore e aktivitetit të sotëm për shënimin e Ditës Botërore të Shëndetësisë u përmbyll me ligjëratën profesionale me temë: “Trajtimi i deformimeve kongjenitale torakale” të prezantuar nga Prof. Dr. Fadil Gradica nga Republika e Shqipërisë.
Ndërsa Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe i ndau një dhuratë me portretin e themeluesit dhe Rektorit të parë e historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.