Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Kulturës Fizike, më 4 Korrik 2024, me rastin e 248- vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e organizoi turneun tradicional të volejbollit në rërë.
Dekania e kësaj njësie akademike, Prof. Dr. Shpresa Memishi, në cilësinë e organizatores theksoi se, përmes këtij aktiviteti sportiv, studentët, stafi akademik dhe të punësuarit e tjerë në universitet, e shënojnë festën e Pavarësisë së SHBA-së, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tyre në të gjitha proceset që e kanë shoqëruar kombin tonë ndër vite.
Ndërkaq Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se, universiteti ynë përherë kujdeset që të organizojë ngjarje të kësaj natyre, sidomos kur bëhet fjalë për aleatin tonë kryesor – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e përgëzoi Fakultetin e Kulturës Fizike, Parlamentin Studentor të UT-së dhe Këndin Amerikan në Tetovë për shënimin e 4 Korrikut, si një festë tashmë e përvitshme në kalendarin e festave të Universitetit të Tetovës dhe si ngjarje e cila vijon ta kultivojë partneritetin, aleancën me SHBA-në dhe me popullin amerikan. Ai po ashtu shtoi se ky organizim përveç shënimit të përvjetorit, i përfshin të rinjtë, përkatësisht studentët tanë në aktivitete të ndryshme sportive si një formë edukimi dhe angazhimi publik për veprimtari me karakter ndërkombëtar, siç është 4 Korriku – Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim të turneut, drejtuesit e Universitetit të Tetovës dhe përfaqësuesit e Këndit Amerikan në Tetovë i ndanë medaljet, trofetë për vendin III, vendin II dhe vendin I, si dhe certifikatat për lojtarët pjesëmarrës në këtë turne tradicional.