Universiteti i Tetovës inauguroi Laboratorin hulumtues të Psikologjisë

 

Në Universitetin e Tetovës, sot u lëshua në përdorim Laboratori hulumtues i Psikologjisë, i cili do të funksionojë në kuadër të Fakultetit Filozofik dhe është donacion nga agjencia turke për bashkëpunim dhe koordinim “Tika”, si dhe nga fondacioni për shkencë dhe kulturë Dituria.

Marketing

Inaugurimi i këtij laboratori u bë nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu dhe shefi i Programit studimor të Psikologjisë, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, ku morën pjesë edhe shumë profesorë dhe studentë.

Sipas shefit të Programit studimor të Psikologjisë, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, ky laborator është unik në trevat tona, pasi nuk haset një i tillë në vendet e tjera fqinje dhe të gjithë të punësuarve në Universitetin e Tetovës do t’u mundësojë të përdorin instrumentet matëse, të përdorin strategji, dizajnime dhe punë ekipore, të cilat janë pjesë përbërëse të Programit studimor të Psikologjisë. “Unë mund të konstatoj se, me këtë laborator hapet një kapitull i ri i veprimtarisë, i praktikës së re studimore në kuadër të psikologjisë. Ne do të vazhdojmë me këtë përsosje të veprimtarisë shkencore, kuptohet në planin praktik. Jo rastësisht thuhet se laboratori është një mikromjedis i cili fabrikon të vërtetën. Dhe ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për të gjithë ne, sepse çdoherë në shkencë na intereson vetëm e vërteta dhe matja e saj. E gjithë kjo u konkretizua falë donacionit të agjencisë turke për bashkëpunim dhe koordinim “Tika” dhe njëkohësisht këtij fondacioni ne i shprehim mirënjohje të jashtëzakonshme dhe njëkohësisht një pjesë e donacionit është edhe nga fondacioni për shkencë dhe kulturë “Dituria”, tha Prof. Dr. Lulzim Murtezani.

Laboratori është një projekt i jashtëzakonshëm, i cili mundëson konkretizimin e teorisë, shndërrimin e saj në praktikë. Ky laborator do t’u shërbejë studentëve tanë ta kultivojnë dhe zhvillojnë sensin e të qenit shkencëtar, por njëkohësisht do t’u ndihmojë edhe vetë mësimdhënësve në avancimin e veprimtarisë të tyre shkencore, ku bën pjesë edhe bashkëpunimi me prindër, me fëmijë, me nxënës dhe kështu me radhë.