Universiteti i Tetovës së bashku me Ambasadën e SHBA-ve në vendin tonë dhe Këndin Amerikan në Tetovë shënuan Ditën e Planetit Tokë

Universiteti i Tetovës, sot së bashku me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Këndin Amerikan në Tetovë dhe Parlamentin Studentor të UT-së shënuan Ditën e Planetit Tokë. Ky aktivitet u shënua me një shëtitje me biçikleta në qytet duke filluar nga hapësirat e Këndit Amerikan në Tetovë deri tek parku i Universitetit të Tetovës. Në këtë aktivitet morën pjesë Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkëlqesia e saj znj. Kate Marie Byrnes, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovë, Gëzim Sulejmani, Kryetarja e Parlamentit Studentor, Eliesa Zhaku, si dhe studentë dhe anëtarë të këndit amerikan.
Qëllimi i shënimit të kësaj dite ishte sensibilizimi i popullatës mbi Ditën e Planetit Tokë, si dhe dhënia e mesazheve për krijimin e një ambienti sa më të mirë jetësor dhe mbrojtjen e tij. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkëlqesia e saj znj. Kate Marie Byrnes dhe Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti, në një pëlhurë të bardhë shënuan mesazhet e tyre për nder të Ditës së Planetit Tokë duke bërë thirrje për ruajtje të ambientit jetësor.
Po ashtu u tha se lëvizja me biçikleta ishte një mundësi shumë e mirë për ta shijuar këtë ditë të bukur pranverore me shpresë se në të ardhmen kjo traditë do të vazhdojë, edhe pse fatkeqësisht për shkak të pandemisë globale Covid-19 vitin e kaluar Dita e Planetit Tokë nuk u shënua me ndonjë aktivitet.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, e falënderoi Ambasadoren e SHBA-ve znj. Kate Marie Byrnes dhe Këndin Amerikan për kontributin dhe mbështetjen që u japin vazhdimisht studentëve dhe të rinjve tanë dhe po ashtu tha se shpreson se edhe në të ardhmen së bashku me Ambasadën Amerikane, Këndin Amerikan dhe studentët do të realizojnë edhe shumë aktivitete tjera.
Idenë për shënimin e Ditës së Tokës e kishte dhënë Senatori i SHBA-ve, Gaylord Nelson, në vitin 1970 me qëllim të sensibilizimit të komunitetit mbarëkombëtar për mbështetjen e kujdesit dhe mbrojtjes së mjedisit. Sot shënimi i kësaj date përbën ngjarje të koordinuar në mënyrë globale nga Rrjeti i Ditës së Tokës, duke u organizuar në më shumë se 193 vende në mbarë globin.

Marketing