UNT filloi vitin e ri akademik 2024/2025

Në një ambient të ngrohtë para kampusit universitar u shënua ceremonia solemne e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, ku sot i mirëpritën gjeneratën e nëntë të studentëve të rinj nga 8 fakultetet e UNT-së me mbi 30 programe studimore.
Rektori i UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri i’u uroi mirëseardhje të gjithë studentëve të rinj, për një vit sa më të mbarë akademik duke potencuar se “fillimi i këtij udhëtimi akademik është një moment emocionues dhe sfidues. Ju po hapni dyert e një bote të re mundësish, dhe përgjegjësia për të shfrytëzuar këto mundësi është në duart tuaja. Përballë jush do të jenë sfida të mëdha, por dijeni se në çdo hap të kësaj rruge, keni përkrahjen e stafit akademik dhe të gjithë komunitetit të universitetit. Ju inkurajoj të përqafoni këtë kohë të rëndësishme të jetës suaj me kurajë, kureshtje dhe përkushtim të plotë.” – tha rektori Zeqiri
Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, z. Izet Mexhiti me rastin e fillim vitit akademik në fjalën përshëndetës përballë studentëve të rinj mes tjerash tha se “vetëm investimi i Qeverisë nuk bën ndryshim. Është detyrë e secilit prej jush që të studjoni, të hulumtoni, të thelloni dituritë e të përsosni aftësitë tuaja sa më shumë, që kokëlartë e me dinjitet të përballoni sfidat të cilat ju presin si qytetarë akademikë të këtij vendi.” – potencoi Zv.Kryeministri i parë Mexhiti.
Zëvendësminstri i Arsimit dhe Shkencës në RMV, z.Lulzim Aliu duke iu dëshiruar fillim vit të mbarë akademik studentëve të rinj potencoi se “përmes arsimit, ne fitojmë mjetet e nevojshme për të zgjidhur probleme dhe për të kontribuar në shoqëri. Kjo përvojë e fituar në universitet na ndihmon të ndërtojmë karakterin dhe të forcojmë besimin në vetvete, duke na bërë më të përgatitur për jetë. Ndërsa vazhdojmë të zhvillohemi si individë, arsimi do të mbetet një burim frymëzimi, duke na hapur dyer të reja për karrierë dhe rritje personale.” – tha Zv.Ministri Aliu.
Studentëve të rinj dhe gjithë të pranishmëve gjithashtu iu drejtua edhe kryetari senatit të UNT-së, Prof.dr. Zoran Gacovski i cili uroi të gjithë studentët për mbarësi në studimet universitare duke iu dëshiruar që bashkëpunimi studentor dhe ai i pedagogëve të jetë sa më hulumtues dhe interaktiv me qëllim arritjes të thellimit të studimeve më të mirëfillta gjatë procesit studimor.
Pas ceremonisë solemne studentët e rinj së bashku me pedagogët e tyre patën mundësinë që të njoftohen për së afërmi dhe të marrin informacione të rëndësishme për studimet e tyre në fakultetet dhe drejtimet e tyre përkatëse.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup të gjithë studentëve aktual dhe atyre të rinjë në këtë fillim vit të ri akademik 2024/2025 iu dëshiron të eksploroni horizonte të reja dijesh dhe të ndërtoni themelet për të ardhmen tyre profesionale dhe personale, të shfrytëzohet çdo mundësi, të kërkoni gjithmonë të mësoni më shumë dhe mos kini frikë të përballeni me sfida nga se sukseset do të jenë të përbashkëta dhe se i gjithë stafi akademik dhe ai administrativ është në shërbimin e tyre profesional.
Marketing