UNT-ja ndërpreu orën akademike në shenjë ngushëllimi! Fetaji: Humbja nuk shërohet, por solidariteti ndihmon

Në hapësirat e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, studentët, stafi akademik dhe administrativ organizuan një ceremoni ngushëllimi në shenjë solidariteti për viktimat dhe të lënduarit nga zjarri tragjik në Koçan. Pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre dhe ngushëllimet për familjarët e prekur nga kjo fatkeqësi.

 

Në këtë ceremoni, fjalë rasti mbajtën kryetari i senatit të UNT-së, Prof. dr. Zoran Gacovski, rektori në ardhje njëherit dhe prorektori për Shkencë dhe Hulumtime, Prof. dr. Bekim Fetaji, prorektori për Arsim dhe Çështje Studentore, Prof. Inor.dr. Fati Iseni, si dhe përfaqësues nga Kuvendi Studentor Universitar.

 

Gjatë fjalimit të tij, kryetari i senatit të UNT-së, Prof. dr. Zoran Gacovski, në emër të stafit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin e institucionit ndaj të prekurve nga tragjedia.

Rektori në ardhje, njëherit prorektor për Shkencë dhe Hulumtime në UNT, Prof. dr. Bekim Fetaji, potencoi se: “Në këto kohë të vështira, si universitet duhet të kujtojmë vlerat që na mësoi Nënë Tereza: dashuria, ndihma e përbashkët dhe kujdesi për të tjerët. Kjo tragjedi na kërkon të jemi më të ndjeshëm, më të sjellshëm dhe më të përfshirë ndaj nevojave të njerëzve rreth nesh. Ne si institucion do të jemi në vijën e parë për të ofruar ndihmë dhe mbështetje, jo vetëm materiale, por edhe morale, për të gjithë ata që kanë nevojë.”

Prorektori për Arsim dhe Çështje Studentore, Prof.Inor.dr. Fati Iseni, theksoi rëndësinë e mbështetjes së ndërsjellë në momente të vështira: “Ndarja e dhimbjes me njëri-tjetrin është thelbësore për shoqërinë tonë. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë atyre që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje, duke ofruar çdo kontribut të mundshëm.”

Në emër të studentëve, përfaqësuesja e Unionit Studentor Universitar nga UNT theksoi: “Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për çdo familje të prekur nga kjo tragjedi. Besojmë se në këto kohë të vështira, bashkimi dhe ndihma e përbashkët janë mjetet më të fuqishme për të kapërcyer dhimbjen.”

Në fund, përfaqësuesit e studentëve dërguan një mesazh solidariteti për familjet e viktimave, duke thënë: “Ju nuk jeni vetëm. Ne jemi këtu për ju, dhe bashkë do të kapërcejmë këto vështirësi. Të ndjerët do të mbeten gjithmonë në kujtimet tona, dhe ne do t’i kujtojmë jetët e tyre si një burim frymëzimi për të ndërtuar një shoqëri më të mirë dhe më të ndjeshme.”

Marketing