UNT përmbylli projektin kërkimor kundër droneve vrasës

Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup sot me testim në poligonin ‘Stenkovec’ dhe me prezantim të rezultateve në hapësirat e UNT-së, përmbylli projektin kërkimor ‘Anti-dronet – një koncept inovativ për zbulimin, njohjen dhe gjurmimin e “dronëve vrasës”, që është pjesë e programit “Paqe dhe Siguri” të NATO-s, ndërsa UNT e ka realizuar gjatë 3 viteve në bashkëpunim me Laboratorin nacional të sistemeve të radarëve dhe mbikëqyrjes me seli në Piza – Itali, dhe në partneritet me Universiteti Shtetëror të Kazakistanit të Veriut nga qyteti Petropavlovsk.

Marketing

Rektori i UNT-së, Prof.Dr. Izet Zeqiri gjatë hapjes së prezantimit tha se pjesëmarrja jonë në projektin kërkimor si shtet anëtar i NATO-s është e një rëndësie të veçantë, ndërsa pjesëmarrja jonë si universitet në këtë projekt, është një privilegj i madh, dhe për këtë u është mirënjohës profesorëve të përfshirë.

‘Prej 3 vitesh, ekipi i UNT-së është përfshirë dhe punon në mënyrë aktive në projektin Anti-Dronet, dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë projekt, veçanërisht në fushën e njohjes së dronëve duke përpunuar të dhënat optike nga kamera, dhe duke përdorur një nga sistemet më të mira të njohjes së objekteve në kohë reale, kanë arritur rezultate të shkëlqyera zbulimi të dronëve të madhësive të ndryshme dhe në distanca të ndryshme’ tha rektori Zeqiri.

Prof. Dr. Aleksandro Kanteli Forti koordinator i projektit tha se teknologjia që përdoret në detektimin e droneve mund të përdoret edhe për qëllime civile siç janë doganat, për zbulimin e burimeve dhe resurseve ujore, për të parashikuar motin dhe për shumë qëllime paqësore.

Koordinatorja e projektit nga ana e UNT-së, profesoresha Olivera Petrovska tha se është shumë e vështire të dallosh dronin paqësor nga ai armiqësor, dhe për këtë qëllim perdoren aparate dhe kamera speciale në drone, ndërsa përmes radareve zbulohet se a ka rrezik nga keto drone apo jo.

Profesori Italian Alberto Lupidi tha se projekti trevjecar me UNT-ne ka dhënë rezultate te shkelqyera ne zbulimin e droneve armiqësorë, dhe përmes eksperimentit është arritur që të dallohen dronët paqësor nga ata vrasës.

Profesor Edmond Jajaga tha se pjesë e UNT-së ishte përpunimi i të dhënave që vinin nga droni dhe radari, dhe në rast se të dhënat tregonin se droni është vrasës në shkallën 85 %, në lajmërojmë bazën, dhe ai shkatërohet.

Rektori Zeqiri dy profesorëve nga Italia u ndau plaketë falënderuese. Ekipi i UNT-së përbëhej nga profesorët Olivera Petrovska, koordinatore, Edmond Jajaga, Blerand Ramadani, Veton Rushiti, Daniel Pavleski and Albina Muça, anëtarë.