UNT shënoi gjashtë vjetorin e themelimit

 Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup, përmes një ceremonie modeste shënoi sot gjashtë vjetorin e themelimit.
Nikoqiri i eventit, rektori i UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri para të pranishmëve, mes të cilëve ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, ministri i Shoqërisë Informatike Admirim Aliti, kryetarët e komunave të Çairit, Sarajit dhe Haraçinës, tha se këtë vit UNT shënoi edhe një rekord për sa i takon numrit të studentëve të pranuar, mbi 700, me çka i gjithë kapaciteti i dy obekteve është plotësuar.
‘Jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshjes për renovimin e plotë të godinës në Ilinden që do të na shërben për zhvendosjen e studentëve nga objekti i Kongresit të Manastirit, të cilin shpresojmë ta lirojmë, ndërsa jemi në pritje të fillimit të procedurës për ndërtimin e kampusit të ri, një projekt impozant, që do ta ngrit cilësinë e shërbimeve shumë lartë, dhe për të arritur aty ku jemi nisur, na duhen hapa konkrete nga qeveria, dhe na duhen tani’, tha Zeqiri.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri tha se investimi më i mirë që mund të bëjmë sot është ofrimi i arsimit cilësor, sepse përparimi i vendit do të varet nga mënyra se si ne edukojmë të rinjtë e këtij vendi.
‘Përkrahja dhe ndihma e vazhdueshme për Universitetin, nga ana e Ministrisë dhe Qeverisë nuk do të mungojë në asnjë moment, sepse universiteti ka një rol dhe rëndësi të veçantë për arsimin, i cili është parakusht për përparim, në çdo shoqëri, në çdo familje’, tha Shaqiri.
Ministri i Shoqërisë Informatike Admirim Aliti,  tha se rëndësia e themelimit të Universitetit “Nënë Tereza” nuk qëndron vetëm në rolin e tij si institucion që ndikon në proceset e ndryshimit dhe zhvillimit shoqëror, në prodhimin e fuqisë punëtore të aftë e profesionale dhe në rolin e ndikimit në sjelljen e transformimeve ekonomike, politike, sociale dhe kulturore në shoqëri, por universiteti “Nënë Tereza” bazon rëndësinë e tij në një dimension më të ndjeshëm e më të esencial.
Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu tha se që nga themelimi, komuna e ka përkrahur këtë projekt kombëtar me të gjitha mundësitë në dispozicion, ndërsa apeloi deri tek ekzekutivi që të përkrahin ndërtimin e kampusit universitar të UNT-së.
Në ceremoni nderuan me pjesëmarrje ambasadori i Kosovës z.Florian Qehaja, zëvendës ambasadori shqiptar në vend, kryetari i Komunës së Haraçinës Ridvan Ibrahimi.
Marketing