Rreth 4.2 milionë persona kanë kaluar për vetëm 100 ditë, që prej hapjes së saj, në urën më të gjatë në botë, Hong Kongu-Zhuhai-Makaco.
Ajo u hap zyrtarisht në 24 tetor të vitit të shkuar, pas 9 viteve punime intensive, duke hyrë në histori si ura më e gjatë në botë në det.
Sipas të dhënave zyrtare nga porti që administron urën, për 100 ditë, 4.2 milionë vetë kanë prerë biletën për të kaluar mbi këtë urë, bashkë me makinat e tyre.
Zëdhënësja e stacionit të inspektimit të kufijve të Zhuhait, Shi Yangchun thotë se numri i tyre të rritet edhe më shumë gjatë ditëve të festivalit të pranverës: “Pritet që numri i pasagjerëve ditorë të arrijë deri në 59 mijë udhëtime. Janë kryesisht banorë që zhvendosen nga Hong Kongu në Makao, përgjatë pushimeve të festivalit të pranverës”.
Hapja e urës nuk ka lehtësuar vetëm udhëtimin por ka bërë më të lehtë dhe më të shpejtë edhe tregtinë kryesisht të ushqimeve.
Lin është drejtuesi i një kamioni në Hong Kong i cili tashmë punën e tij e ka të lidhur me këtë urë, duke shpërndarë në anën tjetër ushqime dhe veshje. “Nisemi në orën 9 dhe në orën 11 jemi në anën tjetër. Na është lehtësuar vërtet shumë puna”.
Përfshirë edhe rrugët anësore, kjo urë është 55 km e gjatë dhe ka kushtuar plot 20 miliardë dollarë. Sipas zyrtarëve që administrojnë mirëmbajtjen e urës, deri më tani automjetet, kanë kaluar pa asnjë vizë. Por politikat e reja do të prezantohen në fund të muajit shkurt.