Autostradat në Bregun Lindor të SHBA-së janë parë të ngarkuara me njerëz që ikin nga uragani Florence.
Rreth 1.7 milion njerëz janë udhëruar të evakuohen në Karolinën e Jugut, Karolinën e Veriut dhe Virxhinia.
Autoritetet e Karolinës së Jugut i kanë shndërruar katër autostrada në rrugë me një drejtim, për të shpejtuar evakuimin.
Uragani i kategorisë katër, me erëra prej 215 kilometrash në orë, do të zbarkojë në tokë të premten herët.
“Kjo ka të ngjarë të jetë stuhi që vjen një herë në jetë për pjesë të bregdetit të Karolinës”, tha një parashikues nga Shërbimi Kombëtar i Motit.
Në një video të postuar në llogarinë e tij në Twitter të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërkoi nga banorët e zonave të kërcënuara që të ndjekin paralajmërimet zyrtare.
“Largohuni, mos luani, është stuhi e madhe, ndoshta më e madhja që keni parë, dhe sasi e jashtëzakonshme uji”, tha Trump.
Ekspertët kanë paralajmëruar se stuhia mund të shkatërrojë afro 760,000 shtëpi dhe biznese.