Urimi i fundvitit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti

Të dashur vëllezër e motra,

Marketing

Viti që po lëmë pas ishte i vështirë dhe shumë prej nesh humbën familjar, miq e të njohur si pasojë e pandemisë, andaj dhe sot bashkë ndjej dhe solidarizohem me të gjitha këto familje dhe apeloj për kujdes të shtuar gjatë festave dhe muajve para nesh.

Njëkohësisht, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për personelin mjekësor dhe policor bashkë me të gjithë të tjerët që ishin në vijat e para të frontit në betejën me armikun e padukshëm gjatë gjithë këtij viti të vështirë.

Megjithatë, në gjithë vështirësinë e vet, koha e pandemisë na dëshmoi më së miri që të gjithë thithim të njëjtin ajër, të gjithëve na ngroh i njëjti diell dhe se vetëm të bashkuar e të barabartë mund të ngadhënjejmë.

Si të tillë, të bashkuar dhe të barabartë, këtë vit u anëtarësuam në NATO dhe përfituam dritën e gjelbër nga Bashkimi Evropian për negociatat aderuese duke rrumbullakësuar kështu ëndrrën shumë-dekadëshe dhe përcaktimin rilindas.

Të bashkuar ngadhënjyem edhe në zgjedhjet e korrikut dhe arritëm marrëveshjen qeverisëse e cila u përshëndet nga të gjithë ndërsa sot jemi në zbatim e sipër.

Të dashur miq, ne jemi këtu për njëri tjetrin në çdo kohë, në të mirë e në të keq, pranë dhe bashkë, të bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta.

Më lejoni që ti drejtohem çdo familjeje, secilit prej jush kudo që të ndodhet, në vendin tonë, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Luginë e diasporë, me uratat më të sinqerta dhe dashamirëse për një vit më të mirë, të mbarë e të shëndetshëm, pranë dhe bashkë me njëri tjetrin.

Gëzuar!

Ali Ameti – lider i Bashkimit Demokratik për Integrim