Urimi i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kryetari i
Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka përcjellë një urim për të gjithë
shqiptarët, duke vlerësuar këtë ngjarje historike si një moment
reflektimi për rëndësinë e gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Marketing

Në mesazhin e tij, z. Ibrahimi kujtoi kontributin e rilindësve që,
përkundër dallimeve, ia dolën të unifikojnë alfabetin shqip. “Përmes
kësaj arritjeje të madhe, rilindësit projektuan suksesin dhe përparimin
e kombit tonë,” u shpreh ai, duke theksuar se alfabeti mbetet një gur
themeli për kulturën shqiptare.

Megjithatë, ai vuri në dukje se alfabeti nuk është i mjaftueshëm për ta
ngritur, avancuar dhe zyrtarizuar gjuhën shqipe. “Në Maqedoninë e
Veriut, shqipja ende mbetet gjuhë e përkthyer dhe trajtohet si gjuhë
minoriteti. Ky është rezultat i një kushtetute që përkufizon shqiptarët
si pakicë,” tha kryetari i Alternativës.

Z. Ibrahimi gjithashtu kritikoi përpjekjet e fundit të Gjykatës
Kushtetuese për të shfuqizuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, një akt
që ai e cilësoi si një goditje ndaj të drejtave të shqiptarëve. “Askush
nuk mund të na ndalojë të flasim dhe të shkruajmë shqip, sepse kjo gjuhë
është shpirti dhe identiteti ynë. Ajo është lidhja jonë me të kaluarën
dhe garancia për të ardhmen,” theksoi ai.

Duke iu referuar përgjegjësisë për situatën e tanishme, Ibrahimi
nënvizoi: “Kush e ka lejuar këtë gjendje, e dimë të gjithë, por nuk do
të lejojmë që dikush të aktrojë keqardhje dhe të shfaqë lot krokodili.
Detyra jonë është ta mbrojmë gjuhën tonë dhe të luftojmë për të drejtat
tona.”

Në përmbyllje të urimit, kryetari Ibrahimi bëri thirrje për vigjilencë
dhe unitet, duke theksuar se mbrojtja e gjuhës është mbrojtja e
identitetit kombëtar. “Së bashku jemi më të fortë dhe më të mbrojtur.
Kjo është rruga për të projektuar të ardhmen tonë,” përfundoi ai.

Marketing