Ursula fon der Lain: E keni shansin unik, shfrytëzojeni (video)

Dëshirojmë ta ndërtojmë Evropën së bashku me ju. Jam e bindur se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe se në fund do të ecni në rrugën e drejtë, deklaroi ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula fon der Lain në konferencën e sotme të përbashkët në Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë me homologen e saj të Maqedonisë, Radmilla Shekerinska.

Marketing

“Ju pret referendum. E di se ai lidhet me emrin e shtetit tuaj, identitetin dhe historinë tuaj, por megjithatë këtë referendum e shoh si shans të madh. Besoj se qytetarët e vendit tuaj do të marrin pjesë në mënyrë aktive. Nga përvoja jonë lidhur me bashkimin e Gjermanisë mund të them se shanset e tilla janë unike dhe se duhet shfrytëzuar. Edhe kur flas për shfrytëzimin e shansit dua të them se flas për Evropën e bashkuar, se dëshirojmë së bashku të vazhdojmë ta ndërtojmë Evropën me ju”, tha ministrja Fon der Lain.

Ministrja Shekerinska duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se çfarë nëse referendumi nuk ka sukses dhe nëse Maqedonia do të mbetet para dyerve të NATO-s, shprehu bindjen se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe se vendi do të përgatitet për bisedat inkuadruese me NATO-n.

“Nga momenti kur e morëm ftesën për në NATO formuam ekipe për përgatitjen e bisedimeve inkuadruese. Ekipet e NATO-s ishin në vendin tonë ndërsa në fund të muajit do të pasojnë takime me përfaqësues të Aleancës së NATO-s edhe në Bruksel. Bisedimet po vazhdojnë sipas planit. Nuk presim kurrfarë çështjesh të cilat mund ta ngadalësojnë procesin.

Mundemi prej më parë të themi se fokusi ynë është atje. Maqedonia do të jetë e gatshme ta dakordojë protokollin për inkuadrim në NATO. Ajo që na pret në aspektin politik, që në aspekt politik duhet ta dëshmojmë është se kemi mbështetje të plotë dhe të pandashme për këtë proces dhe këtë do ta bëjmë më 30 shtator.

Mendoj se referendumi i suksesshëm, procesi i suksesshëm i Maqedonisë definitivisht do t’i nxisë të gjithë aleatët tanë për të ndihmuar që dialogu inkuadrues të jetë i shpejtë, efikas dhe cilësor”, tha Shekerinska.
Sipas ministres gjermane të Mbrojtjes, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin bilateral, dëshiron së bashku të hapërojmë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

“Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në nivel bilateral lidhur me stërvitjet e përbashkëta të cilat mund të zbatohen në bashkëpunim midis dy shteteve. Ofrojmë mundësi për thellimin e bashkëpunimit në sferën e trajnimit të kualifikimit të mëtejmë, por nënkuptohet edhe në planin material. Kur flasim për NATO-n mund të them se mendimet tona janë shumë të ngjashme dhe shumë të afërta por e kam ndjesinë sikur ju të jeni pjesë e NATO-s.

Tani bëhet fjalë praktikisht për një kalim, ndërsa ai është të bëheni anëtare e NATO-s. Jam e bindur se referendumi do të jetë i suksesshëm, se gjithçka do të jetë siç duhet dhe se në fund do të ecni nëpër rrugën e drejtë”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Fon der Lain.

Изјави Шекеринска и Урсула фон дер Лаин

Publiée par MИА.mk sur Jeudi 20 septembre 2018