Ushqimi i tepërt, jo të hidhet por të donohet

Organizatat e ndryshme jo qeveritare në bashkëpunime me përfaqësues të institucioneve përkatëse si dhe Banka për ushqim në Maqedoni, kanë ardhur në përfundim se është e nevojshme të ndryshohet dhe plotësohet një pjesë e caktuar e Ligjit për siguri të ushqimit dhe posaçërisht të rregullohet mënyra e deponimit dhe transportimit, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Problematikat e ushqimit do të duhet të përfshihen edhe në dy akte të reja nënligjore, kurse këtu hyjnë edhe ndryshimet të ligjeve për donacion dhe atyre ligjeve të cilat kanë të bëjnë me politikat tatimore. Kjo për shkak të lirimit dhe stimulimit të bizneseve dhe operatorëve me ushqim, të cilët do të donin të dhuronin ushqimin.
Në Maqedoni gjatë vitit hidhen 5000 ton ushqim i sigurt, me të cilin mund të ushqehen 13 mijë njerëz me nga tre vakte në ditë. Në kuadër të këtyre të dhënave shqetësuese dhe rritjes së numrit të personave që kërkojnë ushqim, ditë më parë në Qendrën Informative të Bashkimit Evropian u mbajt tryezë e rrumbullakët me temën “Politikat nacionale dhe evropiane me pasojat nga hedhja e ushqimit: A na nevojitet Ligj i ri për moshedhje të ushqimit apo ndryshim dhe avancim i një pjese të ligjeve tashmë ekzistuese tek ne?”

Drejtori i NP “Higjiena Komunale Shkup” theksoi se ushqimi i tepërt nuk duhet të hidhet në deponi por duhet të donohet tek organizatat e ndryshme që të mund të shpërndahet tek njerëzit që kane nevojë. Ai me tej shtoi se në qoftë se ky ushqim nuk mund të përdoret nga njerëzit mund t’i shërbehet kafshëve.

Kryetar i Bankës për ushqim – Maqedoni, Dushko Hristov, është shprehur se amvisëritë janë hedhësit më të mëdhenj të ushqimit në Maqedoni, ndërkaq më së shumti hidhet buka si prodhim.

“Në Maqedoni, sipas hulumtimeve tona, theksoi Hristov, 70 deri 80 mijë njerëz kanë dy deri tre shujta në javë. Këto të dhëna janë marrë në bazë të hulumtimeve kryqëzuese në tre-katër vitet e fundit nga ana e 13 organizatave të cilat punojnë në 11 qytete në vend. Në Shkup, në baza ditore ka nevojë për. minimum 13 mijë e më shumë shujta. Sipas Hristov, jo vetëm rastet sociale kanë nevojë për ushqim, kanë nevojë edhe ata me të ardhura të ulëta, ndërkaq ata në Maqedoni, janë në numër më të madh”, tha Hristov.

Sekretarja e përgjithshme e Federatës evropiane të Bankave për ushqim – FEBA, Angela Frigo ka thënë se në Maqedoni ka potencial të madh posaçërisht kur bëhet fjalë për zhvillim të disa aktiviteteve në vijim, ndërkaq thelbi është të mbështeten njerëzit të cilët kanë nevojë dhe të evitohet hedhja e tepricës së ushqimit. Më tej ajo potencoi se në BE punohet shumë në këtë çështje, përkatësisht në humbjen e ushqimit dhe informoi se ka filluar platforma nga ana e KE-së për analiza dhe gjetje të zgjidhjeve.

Në nivel evropian, brenda vitit hidhen 88 mijë tonë ushqim dhe atë nga vetë prodhimi deri te shfrytëzuesi i fundit. Gjysma nga kjo shumë hidhet nga vetë amvisëritë. (koha.mk)

Marketing