Kostoja e jetesës vitin e kaluar u rrit me 1.5 për qind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 2.7 për qind. Shumë nga mallrat ushqimor kanë shënuar rritje të çmimeve, shkruan gazeta KOHA.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, indeksi i çmimeve të konsumit në dhjetor 2018, krahasuar me nëntorin e po këtij viti, ishte 99.8, ndërsa indeksi i çmimeve të shitjes me pakicë ishte 99.5. Marrë në përgjithësi, indeksi i çmimeve të Konsumit në vitin 2018 kishte një rritje prej 1.5 për qind dhe Indeksi i çmimeve me pakicë është rritur për 2.7 për qind krahasuar me vitin 2017. Rritje e çmimit u vu re tek transporti me 7.5 për qind, pije alkooliket dhe duhani me 5.5, rekreacioni dhe kultura për 2.4, restorantet dhe hotelet me 1.9, ushqimi dhe pijet joalkoolike, mobiliet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e orendive shtëpiake për 0.8, shëndetësia dhe komunikacioni për 0.7, dhe shërbime të tjera u rritën për 0.5 për qind.
Reduktimi i indekseve u regjistrua në grupet: Veshje dhe këpucë me 0.4% dhe arsimi prej 0.1%, ndërsa grupi i banesave, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve të tjera ishte në nivelin e 2017-ës. Rritja e indeksit të çmimeve me pakicë në vitin 2018 u regjistrua në grupet: shërbimet për 3.7 për qind, prodhimet bujqësore për 3.6, prodhimet jo industriale ushqimore dhe duhan për 2.5, dhe prodhimet ushqimore industriale me 0.8 për qind. Indeksi i çmimeve të konsumit në dhjetor të vitit 2018, krahasuar me dhjetorin e vitit 2017, u rrit me 0.9 për qind, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë u rrit me 1 për qind. Në dhjetor të vitit 2018, një rënie e indeksit të shpenzimeve është regjistruar tek gazi për amvisëri me 6.8 për qind, lëndë djegëse të lëngëta me 12.5 për qind, lubrifikantë si pjesë e pajisjeve për transportin personal për 10.6 për qind.
Në dhjetor, rritje e çmimeve u regjistrua edhe në transportin ajror të udhëtarëve për 3.9 për qind, pastrimin dhe mirëmbajtjen e banesës për 2.1, kopshtet, bimët dhe lule, aranzhimet e paketave turistike për 1.3, shërbimet paramedike për 0.9, gjëra të tjera personale me 0.8, këpucë dhe pajisje telefonike me 0.7, pajisje elektrike shtëpiake të mëdha, pajisje shtëpiake të vogla elektrike, shërbime të akomodimit, shërbime të higjienës personale me 0.5, si dhe orendi shtëpiake me 0.4%. (koha.mk)