Fatkeqësia e madhe natyrore që ka goditur vendin mëngjesin e së martës bëri bashkë për herë të parë pas shumë vitesh të gjithë popullin shqiptar, pa dallim feje, krahine, bindjesh politike apo ideje.
Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.4 shkaktoi të paktën 32 viktima, mbi 650 të plagosur dhe la pas qindra ndërtesa, banesa dhe pallate të shkatërruar e dëmtuar.
Këto orë tejet të vështira për vendin tonë pamë mbështetjen dhe ndihmën e pakushtëzuar që na dhuruan vëllezërit dhe motrat tanë nga Kosova, por edhe shtetas të huaj, që erdhën vullnetarisht për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.
Jemi përballur me pamje të dramatike, lot nënash që qajnë për fëmijët e tyre të vdekur, dhimbje pafund, trishtim, që na ka prekur në thellësi të zemrës e shpirtit të gjithëve.
Lajm më i mirë nga ky tërmet ishte shpëtimi i 47 qytetarëve të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura, falë ekipit të shpëtimit dhe emergjencave, ushtarëve të Forcave të Armatosura, ekipeve të specializuara të ardhura nga jashtë vendit dhe qytetarëve vullnetarë që u ofruan të japin ndihmën e tyre.
Një skenë prekëse ka qenë momenti kur një ushtar i Forcave të Armatosura të Shqipërisë përlotet gjatë operacionit për nxjerrjen e trupave nga rrënojat e godinave të shembura nga tërmeti.
Ushtari hero derdh lot, sepse edhe heronjtë qajnë kur përballen me situata të tilla. Ai është një hero i heshtur, që në ditë të vështira është aty, por në ditë të mira nënvlerësohet.
Kjo foto na bën që për disa çaste të harrojmë trishtimin e të mbushemi me dashuri.
Kërkimet vijojnë…mendja dhe zemra është tek trupat që gjendjen nën rrënoja, por kjo foto e ushtarit hero teksa derdh lot për disa minuta na bën të harrojmë trishtim e tërmetit dhe të mbush me dashuri.