Ushtria në Mianmar e cila rrëzoi qeverinë e zgjedhur nëpërmjet puçit ushtarak, ka vrarë 2 protestues në qytetin Mandalay ndërsa ka konfiskuar edhe paratë e mbledhura në një xhami në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit në ueb faqen “Myanmar Now”, ushtria e Mianmarit, dje u përpoq të arrestojë zyrtarët publik që protestonin kundër puçit në rrethin Myitnge të Mandalay-it.
Pasi protestuesit rezistuan ushtria hapi zjarr drejt turmës, me ç’rast humbën jetën 2 persona.
Të njëjtën ditë, ushtarët bastisën një xhami në Myitnge duke plaçkitur paratë e donacionit të mbledhur nga xhemati.
Me dy viktimat e fundit, numri i civilëve të vdekur me intervenimin e forcave të sigurisë që nga grusht shteti ushtarak është rritur në 716.
Grushti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.
Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato.