Universiteti i Tetovës dhe Asociacioni Maqedonas – Amerikan Alumni – AMAA nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Memorandumi u nënshkrua në takimin e sotëm që u realizua në Universitetin tonë, mes Rektorit Prof. Dr. Kushtrim Ameti dhe Kryetares së këtij Asociacioni, Verica Jordanova.
Sipas këtij memorandumi parashihet që palët të nxisin dhe zhvillojnë bashkëpunim të ndërsjellë në kuadër të veprimtarive të tyre, mbi bazën e përfitimit reciprok, ndihmës reciproke dhe veprimit për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Ato, gjithashtu do të marrin përsipër të përgatisin projekte të ndryshme për kërkime, debate, trajnime dhe edukim, praktika, shkëmbime ekspertize dhe çështje të tjera të rëndësishme për komunitetin e biznesit dhe arsimin.
Bashkëpunimi i ndërsjellë dhe shkëmbimi i njohurive do të realizohet në përputhje me dispozitat ligjore të vlefshme dhe burimet financiare në dispozicion. Gjithashtu, palët do të promovojnë kushte të favorshme për realizimin e këtij bashkëpunimi dhe shkëmbimin e njohurive, informacioneve dhe përvojave.